Kreu i Partise Socialiste, Edi Rama ka akuzuar jo vetëm Bashkinë e Tiranës, por edhe qeverinë se me alibinë për zgjerimin e rrugës së Elbasanit është duke prerë pemët në parkun kombëtar për t’i hapur rrugë, interesave klienteliste të lidhura me kryeministrin e vendit për të ndërtuar në këtë park.

“Për vite me radhë i është bërë rezistencë nga Bashkia e Tiranës çdo lloj përpjekjeje prej interesash private për të ndërtuar në zonën e Parkut. Sot, me alibinë e zgjerimit të “Rrugës së Elbasanit”, po ndodh hapja e territorit të Parkut për interesat e një klientele me dominancë të fortë edhe në vetë ekonominë e vendit. Duhet vënë alarmi sepse ky zgjerim po përdoret si alibi për t’i hapur rrugë interesave të klientelës më të afërt të pushtetit, të kryeministrit dhe të gjithë oborrit të tij”, u shpreh Rama në një dalje për mediat.

Kreu i selisë rozë tha se, klientë të qeverisë dhe oborrit të kryeministrit po blejnë ndërtesa të vjetra në qendër të kryeqytetit dhe që plani francez i ka konsideruar te paprekshme duke paralajmëruar se dhënia e lejeve të ndërtimit në këtë zonë do të sjellë shkatërrim të plotë.

“Klientët e pushtetit janë turrur dhe po blejnë njëra pas tjetrës godinat e vjetra të zonë së qëndrës që janë vënë në mbrojtje dhe si të tilla janë përfshirë pjesë e paprekshme brenda kufijve të planit francez të qëndrës. Zhbërja e planit francez ka qëllim t’i hapë rrugë zhbërjes se kësaj trashëgimie kulturore me qëllim të hapur fitimi  përmes shkatërrimit që do të sillte dhënia e lejës së ndërtimit në gjithë këtë zonë është një vizion barbarizues”, tha Edi Rama.

Por, kreu socialist denoncoi edhe prerjen e pemës 240 vjeçare të Et’hem Beut, buze bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Rama argumentoi se shumë mund të shtrembërojnë buzët duke e konsideruar si dicka të vogël për denoncimin e një lideri të opozitës por theksoi se ajo është shprehja më shembullore e një vizioni barbar që kërcënon kryeqytetin.

Pema 240 vjecare e  mbjellë nga Ethem Beu, ndodhej në afërsi të Galerisë së Arteve, dhe askush nuk dha ndonjë shpjegim zyrtar për sharrimin e saj.

Reagon Bashkia e Tiranës

Bashkia e Tiranës reagoi menjëherë pas deklaratave të ish-kryetarit Edi Rama në lidhje me prerjen e pemëve në rrugën e Elbasanit.

Në deklaratë thuhet se Bashkia shpreh keqardhjen e thellë që z. Rama zgjodhi sërish konfliktin politik mbi interesat e qytetarëve të Tiranës.

“Zgjerimi i Rrugës së Elbasanit”, thuhet në deklaratë, “do të lehtësojë trafikun, do të ulë koston e lëvizshmërisë, do të ndikojë në reduktimin e ndotjes,  do të përmirësojë cilësinë e jetës se banorëve të Tiranës, do të ndihmojë në zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë  së qytetit dhe hapjen e vendeve të reja të punës”.

Në deklaratë thuhet se “projekti i zgjerimit me 6 korsi i rrugës së Elbasanit parashikon mbjelljen e 480 pemëve dekorative, ndërsa vetëm këto 9 muaj në Park janë mbjellë 500 pemë të reja dhe do të mbillen edhe 3 mijë të tjera brenda vitit” shkruhet ndër të tjera në deklaratën e Bashkisë së Tiranës.

Top Channel