Besimtarët ortodoksë kanë festuar 20-vjetorin e zgjedhjes së fortlumturisë së tij Anastasit si kryepeshkop i gjithë Shqipërisë në Katedralen e re në qendër të Tiranës.

Me rastin e hapjes së kësaj Katedraleje, e cila është pagëzuar me emrin “Ngjallja e Krishtit”, u organizua edhe një meshë ku përveç besimtarëve ortodoksë, morën pjesë edhe figura të larta të politikës: presidenti në detyrë Bamir Topi, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, lideri i opozitës Edi Rama si dhe përfaqësues të partive të minoritetit grek në Shqipëri: Vangjel Dule dhe Spiro Ksera.

Të ftuar në këtë ceremoni ishin edhe përfaqësuesit e Patriarkanës Ekumenike, Kryepeshkopi i Amerikës, Hirësia e Tij Dhimitri dhe Mitropoliti i Filadelfias, Hirësia e Tij Melitoni si dhe një numër i madh klerikësh të cilët kanë ndihmuar në ringritjen e Kishës Ortodokse në Shqipëri.

Kompleksi i Katedrales së re të Tiranës është ndërtuar në një truall që u dha gradualisht nga autoritetet shtetërore në kompensim të truallit të Kishës së vjetër katedrale të Tiranës, e cila u shkatërrua nga regjimi ateist në vitin 1967.

Për studimin arkitekturor të veprës, në vitin 2002 u zhvillua një konkurs ndërkombëtar ku fituese u shpall një zyrë arkitekturore nga Nju Jorku.

Top Channel