Në Ksamil bashkë me sezonin turistik ka nisur edhe kalvari i problemeve
të përvitshme të lidhura me mungesën e energjisë elektrike dhe tensionin
e pamjaftueshëm në rrjet. Në këtë zonë popullsia është trefishuar
krahasimisht me atë të para viteve ’90 ndërsa në rrjetin shpërndarës nuk
është kryer asnjë ndryshim që prej ndërtimit të tij rreth viteve ’70.

Në Ksamil jetojnë si banorë të përhershëm rreth 10 mijë vetë, ndërsa në verë kjo shifër dyfishohet. Pronarët e bizneseve turistike, hotele, restorante, fast food dhe bare janë shumë të shqetësuar me situatën që duket se nuk do të marrë zgjidhje edhe këtë vit. Ata thonë se nuk mund t’i shërbejnë fluksit turistik në këto kushte ndërsa përmendin faktin e dëmtimit të paisjeve prej tensionit të ulët.

Kreu i Komunës Ksamil Besnik Abedini i pytetur mbi këtë shqetësim tha se situata po përsëritet çdo vit dhe ankesat e tyre nuk janë marrë parasysh as nga CEZ dhe as nga qeveria. Mungesa e energjisë po sjell dëme dhe kosto të shumëfishuara tek ofruesit e shërbimeve turistike.

Ksamili një prej perlave të turizmit shqiptar po ofron këtë vit një kapacitet akomodues prej 7000 shtretër rreth 1000 më shumë se sezoni i kaluar. 50 restorante operojnë sipas kreut të komunës në funksion të sezonit ndërsa, të gjithë sipas tij po kryejnë investime shtesë për të siguruar energji elektrike. Ndërkaq numri i turistëve krahasuar me të njetën periudhë të një viti më parë është gati 20% më i ulët.

Top Channel