Itali, gjendet i vrarë 34-vjeçari

23/06/2012 00:00

Një 34-vjeçar shqiptar u gjet i vrarë pasi qe goditur me thika në
brigjet e lumit Morla pranë qytetit të Bergamos, bën të ditur media
italiane. Kufoma e shqiptarit u vu re fillimisht nga një banore e zonës,
e cila njoftoi policinë.

Kanë filluar hetimet për të zbardhur rrethanat e vrasjes. Viktima u identifikua si Sabaudin Bregu, i cili qe punëtor dhe banonte në Villa di Serio. Ai qe babai i një vajze 4-vjeçare dhe policia zbuloi se pati vdekur i qëlluar së paku 15 herë me thikë, nga të cilat, 10 plagë i kishte në kurriz.

Ndërkohë, më 21 qershor, një shqiptar tjetër 26 vjeç mbeti i vrarë aksidentalisht pasi tentoi t’i largohej një kontrolli policor pranë qytetit të Sienës. Kuestura Italiane njoftoi se pati ndaluar për kontroll gjashtë makina, mes të cilave edhe një volksvagen golf. Makina që drejtohej nga një shqiptar tentoi të largohej duke aksidentuar dy karabinierë. Karabinjerët thanë se patën qëlluar në ajër për paralajmërim, por pas përplasjes, një plumb goditi aksidentalisht shqiptarin. Në makinën e tij u gjendën 10 kilogramë marihuanë.

Një numër i madh shqiptarësh gjenden në burgjet e Italisë të dënuar veçanërisht për trafik lëndësh narkotike.

Top Channel