Berisha me të rinjtë europianë

23/06/2012 00:00

Një takim me të rinj europianë të qendrës së djathtë, kryeministri Sali Berisha e ka shfrytëzuar për t’i bërë publicitet Shqipërisë në çdo aspekt.

Duke theksuar ndryshimet kolosale të vendit në këto 20 vjet, vecanërisht reformat e kryera gjatë qeverisjes së tij, kryeministri Berisha përmendi që nga operacionet e kushtetueshme për ndërtimin e infrastrukturës së vendit, uljen e taksave, rritjen e pagave dhe pensioneve, thithjen  investimeve të huaja, potencialet turistike, ndërtimin e veprave të reja energjitike e deri tek rritja e numrit të studentëve dhe projektet për përdorim falas të internetit nga të rinjtë.

Sipas kryeministrit në bazë të kësaj përpjekje qendron aspirata e shqiptarëve për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian dhe Shqipëria një vend i zhvilluar.

“Këto janë disa nga arritjet e saj, por vështirësitë janë serioze dhe rrugën nuk e kemi bulevard. E kemi të përpjetë dhe me lodhje. Në të gjithë fushat ne duhet të bëjmë përpjekjet më të mëdha për të arritur vendet e zhvilluara. Projekti kryesor i vendit është anëtarësimi në BE. Ky proces duhet të jetë tërësisht i merituar. Ky është interesi i qytetarëve shqiptarë”, tha kryeministri Berisha.

Por sipas kryeministrit Berisha Shqipëria ka një problem të brendshëm politik dhe sipas tij një problem i tillë është vullneti i opozitës për të bllokuar procesin e integrimit.

Duke u bërë të rinjve europianë një historik të marrëdhënieve me opozitën pas vitit 2009,  kur kreu i opozitës nuk njohu zgjedhjet, kryeministri Berisha u tha atyre edhe arsyen përse sipas tij zoti Rama nuk jep konsensus për reformat e kërkuara nga Brukseli si kusht për integrimin e vendit.

“Erdhën zgjedhjet lokale dhe ai mendoi se duke bllokuar proceset e integrimit, duke mos votuar reformat për statusin, shqiptarët do të fajësonin qeverinë. Në zgjedhjet lokale, opozita mori 12 % të votave më pak se maxhoranca. Zotëria humbi bashkinë  e Tiranës. Pas kësaj deklaroi se nuk do të bllokojë më votimet. Por ata vazhdojnë të bllokojnë. Punojnë sa punojnë së bashku në Parlament dhe në momente kyçe bllokojnë. Zoteria nuk është antievropian, por mendon se duke bllokuar do të mund të fitojë kapital politik, nuk nxjerr mësim”, tha Berisha.

Top Channel