Socialdemokrati Skënder Gjinushi dhe demokristiani Nard Ndoka shprehen të pakënaqur me sjelljen e opozitës, pas procesit të zgjedhjes së presidentit.

Të dy aleatët e Edi Ramës, analizojnë faktorët që kanë çuar në zbehjen e rolit të opozitës.

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi: Opozita që kur gjoja është kthyer në Kuvend nuk gëzon asnjë të drejtë të qenësishme të saj dhe këtu nuk këmi të bëjmë me një përgjumje të opozitës parlamentare, por me një nënshtrim të opozitës parlamentare për votën e fshehtë, nuk mbron dot procedurat konsensuale në zgjedhjen e institucioneve kushtetuese, nuk mbron dot kushtetueshmërinë as të Presidentit, as Gjykatës së Lartë dhe as Gjykatës Kushtetuese. Ne vlerësojmë se opozita nuk ka cfarë të lëshojë më dhe përsa kohë nuk është kthyer votë e fshehtë në Kuvend dhe përsa kohë  nuk është kthyer dinjiteti dhe barazia e debatit në Kuvend, nuk është kthyer kushtetutshmëria e institucioneve kryesore në Kuvend, është krejtësisht absurde të flitet për imunitetin.

Kreu i demokristianëve, Nard Ndoka: Opozita dhe në vecanti Partia Socialiste ishte protagoniste e procesit të zgjedhjes së presidentit. Opozita ka marrë një lloj kosto dhe kjo përgjumje është për të amortizuar koston. Opozita nuk ka një aksion politik që ta fillojë dhe ta përfundojnë duke I lënë shpeshherë në mes të rrugës.

Gjinushi dhe Ndoka shpalosin arsyet përse opozitës në disa raste të caktuara i mungon agresiviteti në denoncimin e aferave korruptive të qeverisë.

Skënder Gjinushi: Opozita padashje bëhet edhe palë edhe pjesë e mashtrimit popullor ashtu si edhe shumë ndërkombëtarë. Jemi pas nëntë muajsh pranë dështimit të dytë të Shqipërisë me statusin që vjen nga korrupsioni kësaj qeverie dhe opozitës dhe qendrimeve të lëkundura të saj që kanë bërë që 8-9 rekomandimet kryesore, shkojnë në sens të kundërt dhe ne flasim sikur ka shanse për të ndryshuar dhe flasim për marrjen e klasës apo provimit në tetor kur shohim qartë që Shqipëria s’mund të hyjë në Europë duke iu afruar gjithnjë e më shumë Afrikës.

Nard Ndoka: Për disa afera korruptive kemi parë një opozitë të heshtur, jo të organizuar, jo luftarake për të demaskuar fenomenet korruptive. Sipas gjykimit tim, ka fije që ndërlidhen mes mazhorancës dhe opozitës, pasi prezenca e disa biznesmenëve në radhët e opozitës e pengon pasi eksponentë të maxhorancës gjejnë gjithmonë gjuhën e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit me këto qarqe duke ja mbyllur zërin opozitës.

Top Channel