Shpërthimi, polici: Nuk kam asnjë konflikt

19/06/2012 00:00

Oficeri i Patrullës së Përgjithshme, Edvin Zhupa, në makinën e së cilit
shpërtheu një sasi tritoli, pohon se nuk ka asnjë konflikt për shkak të
detyrës.

Zhupa është marrë në pyetje nga kolegët e tij të Policisë së Tiranës, të cilët kanë kryer dhjetëra veprime me qëllim zbardhjen e kësaj ngjarjeje të rëndë, e cila duket se është vetëm një paralajmërim për punonjësin e policisë, që kishte si detyrë të patrullonte një nga zonat më problematike të kryeqytetit atë të ish-Parkut të Autobusëve.

Kjo zonë është e njohur për qëndrimin e një sërë kontingjentesh kriminale dhe pikërisht këto të dhëna janë pista e parë kryesore e hetimeve për shpërthimin e tritolit. Në këtë zonë janë vendosur edhe më parë sasi tritoli drejtuesve të policisë së Tiranës.

“Hetimet janë në fazën fillestare, ku janë marrë në pyetje dëshmitarët e vendngjarjes. Duke qenë se shpërthimi ndodhi në orët e parë të mëngjesit, në vendngjarje ka pasur shumë pak dëshmitarë. Në pyetje janë marrë disa agjentë policie që qëndronin në Komisariatin Nr.2 të Policisë, si dhe disa roje private të bizneseve që ishin në zonë”, pohojnë burimet nga policia, bën të ditur gazeta “Shqip”.

Sipas tyre, asnjë prej dëshmitarëve nuk ka parë ndonjë person të dyshimtë që lëvizte në këtë zonë. Në fokusin e hetuesve kanë qenë edhe disa kamera të bizneseve aty pranë. Megjithatë, rezultatet ishin të pritshme, pasi asnjëra prej tyre nuk ka mundur dot të identifikojë ndonjë person.

Burime nga Policia e Tiranës pohojnë se kanë marrë në pyetje Edvin Zhupën, i cili ka mohuar në mënyrë kategorike të ketë ndonjë konflikt personal, duke lënë të kuptohet se ngjarja mund të ketë ndodhur për shkak të detyrës. Hetuesit kanë marrë raportet që ka hartuar Zhupa muajin e fundit, shoqërimet dhe arrestimet që ka kryer. Në fokusin e policisë janë edhe informacionet që ka dhënë ky punonjës për persona apo individë kriminalë që ndodhen në zonën që patrullon. Ka dyshime se pikërisht këto të dhëna mund të jenë edhe “çelësi” i kësaj çështjeje.

Top Channel