Eksportet, vetëm krom e fasone

19/06/2012 00:00

Eksportet shqiptare janë rritur me ritme të larta në dekadën e fundit,
duke cekur vitin e shkuar, për herë të parë edhe shifrën 2 miliardë
dollarë.
 

Të dhënat e INSTAT tregojnë se krahasuar me vitin 2000, eksportet janë gjashtëfishuar. Por a tregon kjo se bizneset dhe ekonomia shqiptare janë bërë më konkurruese në tregjet e huaja?

“Për fat të keq po të shohim strukturën e eksporteve shqiptare ndër vite, ndonëse vlera është rritur së tepërmi, strukturat përbërëse të tyre kanë ndryshuar pak. Rreth 80 për qind e eksporteve përbëhet pikërisht prej këtyre produkteve, pra e burimeve minerare, metaleve që Shqipëria eksporton, së bashku me tekstilet e produktet e këpucëve që zënë peshën kryesore në eksportet shqiptare”, thotë Ilir Ciko, ekspert i Tregtisë me Jashtë.

Ilir Ciko thotë se eksportet shqiptare do të mbeten të përqëndruara në pak produkte, nëse biznesi nuk do të ketë mbështetje.

“Nuk është thjesht rol i biznesit privat, pra se ku duhet të ndërhyjmë, cilat dege të ekonomisë duhet të jenë më produktive, por kërkon edhe një ndërhyrje nga ana e qeverisë, për të parë më tej edhe se si kompanitë shqiptare mund të jenë më produktive në tregun e brendshëm shqiptar, por mund të jenë edhe në tregjet rajonale dhe të afta për të konkurruar në tregjet botërore”, thotë Ciko.

Banka Botërore e klasifikon Shqipërinë si një nga vendet që përfiton më pak nga eksportet e saj. Prej vitesh burimet natyrore shiten të papërpunuara, ndërsa rieksportet e industrisë së fasonit marrin fare pak vlerë të shtuar në vend. Por a mund të ndryshonte kjo situatë?

“Nëse kjo pyetje do ishte trajtuar më me kujdes 10 vite më parë, kur struktura ishte e ngjashme atëherë, p.sh në rastin e kompanive të tekstileve apo të këpucëve, gjatë këtyre 10 viteve këto kompani mund të kishin ditur që të ishin më të afta në drejtim të kthimit të Shqipërisë në një qendër, e cila duhet të ishte një qendër e inovacionit të zhvillimit të teknologjive dhe të zhvillimit jo thjesht të aktiviteteve të prodhimit që ato kryejnë, por njëkohësisht edhe të aktiviteteve ndihmëse, pra që lidhen rreth këtyre kompanive”, thotë Ciko.

Banka Boterore e rendit Shqipërinë në një ndër vendet me të prapambetuara për zhvillimin teknologjk dhe produktivitetin e ulet të prodhimit. Sipas të dhënave,vetëm 10.9 për qind e produkteve shqiptare per eksport, përbehen nga kapitali dhe njohuritë. Në Maqedoni kjo shifër është 35 për qind, ndërsa në Sllovaki 71 për qind.  

Top Channel