Rriten bonot e thesarit

15/06/2012 00:00

Të dhënat zyrtare nga Banka Qendrore tregojnë se interesat e bonove të
thesarit u rritën sërish duke rënduar koston që qeveria paguan për të
financuar buxhetin dhe shpenzimet e saj.

Në ankandin e fundit të zhvilluar nga Banka Qendrore, norma e interesit për bonot me afat maturimi një vjeçar u rrit në 7.38 për qind nga 7.34 për qind, që ishin në ankandin e dy javëve më parë. Rritje ka edhe për letrat me vlerë me afat shlyerje më të shkurtër. Sipas Bankës për bonot 6 mujore, interesi kapi kuotën 6.24 për qind nga 6.2 që ishte një muaj më parë.

Interesat e letrave me vlerë mbeten në nivele të larta edhe pse Banka Qendrore e ka ulur normën bazë në nivelin me të ulët historik prej 4.25 për qind. Interesat e bonove janë dhe një nga treguesit kryesorë mbi të cilët bazohen normat e interesave të kredisë, të cilat mbeten të lartë duke mos e pasqyruar efektin lehtësues të Bankës Qendrore për uljen e normës bazë.

Tregjet financiare në Shqipëri u përballën në muajt e parë të vitit me një fenomen të pandodhur ndonjëherë më parë, që lidhej me tërheqjen e disa bankave nga investimet në letrat me vlerë të qeverisë për shkak të detyrimeve të vendosura nga Autoriteti Bankar Europian. Të dhëna ende jo zyrtare nga Ministria e Financave dhe Banka Qendrore thonë se masa e tërheqjes në muajt e parë të vitit llogaritet deri në 140 milionë euro, çka e ka vendosur qeverinë në një situatë të vështirë për të financuar borxhin e saj me norma të ulëta.

Bonot, investim i mire

Situata e vështirë që po kalon ekonomia i ka shndërruar bonot e thesarit në një investim tërheqës edhe për individët. Përfitimet nga investimi në letrat me vlerë të qeverisë janë rritur jo vetëm për shkak të interesave të larta, por edhe si pasojë e normës së ulët të inflacionit.

Në maj inflacioni zyrtar sipas Institutit të Statistikave ishte 1.9 për qind, një nga normat më të ulëta që nga viti 2004. Kjo do të thotë se interesi real që një individ përfiton nga investimi në bono me afat njëvjecar luhatet nga 5 deri në 5.5 për qind në vit, që përbën një alternativë tërheqëse investimi jo vetëm në tregun financiar, por edhe krahasuar me mundësitë e tjera të investimeve.

Parashikimet janë që letrat me vlerë të qeverisë të qëndrojnë një investim tërheqës edhe për pjesën e mbetur të vitit. Banka e Shqipërisë në raportet e saj publike parashikon që norma e inflacionit me 90 për qind probabilitet do të vazhdojë të qëndrojë në kufijtë nga 0.7 deri në 2.8 për qind të paktën edhe për 8 muajt e ardhshëm, që do të thotë se kthimi real nga investimi në botë pritet të mbetet i lartë.

Top Channel