I vënë ngushtë nga pyetjet e përsëritura në lidhje me deklaratat dhe qëndrimet e presidentit të ri serb, Komisioni Evropian u detyrua të përsërisë qëndrimin e njohur të BE-së në lidhje me genocidin në Srebrenicë.

Por në të njëjtën kohë, po njësoj u rikonfirmua mikëpritja e Nikoliçit në Bruksel më 14 qershor, në nivelin më të lartë nga presidenti i BE-së Herman Van Rompuy dhe nga presidenti i Komisionit, Barroso.

“Bashkimi Evropian hedh poshtë me forcë çdo synim për të rishkruar historinë dhe masakra e Srebrenicës ishte një genocid, siç është konfirmuar nga dy gjykata të larta ndërkombëtare. Masakra e Srebrenicës ishte një krim kundër gjithë njerëzimit. Ne nuk duhet ta harrojmë kurrë dhe nuk duhet kurrë të lejojmë që kjo të ndodhë sërish”, deklaroi Pia Ahrenkilde Hansen, zëdhënëse e Komisionit Evropian.

“Ky është një qëndrim shumë i qartë që ne e kemi bërë të njohur në shumë raste mbi këtë tmerr dhe këtë tragjedi. Dhe mendoj se ky qëndrim do të bëhet shumë i qartë kurdo dhe sa herë që të nevojitet. Është e vërtetë se presidenti Barroso do të takojë presidentin Nikoliç më 14 qershor. Dhe shumë çështje, përfshirë temën tepër të rëndësishme të pajtimit në rajon dhe të veprimeve konkrete lidhur me këtë, do të jenë sigurisht pjesë e axhendës”, vijoi zëdhënësja.

Komisioni nuk dha informacion nëse ndonjë zyrtar i lartë i BE-së ka marrë ftesë për ceremoninë e inaugurimit të presidentit të ri në Beograd, por zëdhënësja shtoi se BE thekson nevojën e dialogut me Serbinë, në vijim të mesazheve të dërguara nga presidentët Rompuy dhe Barroso pas zgjedhjeve në vend.

Presidenti i ri serb, Tomisllav Nikoliç deklaroi javën e kaluar se, në Srebrenicë nuk ka pasur genocid, por vetëm një krim të rëndë lufte. “Nuk kishte genocid në Srebrenicë. Atje ka pasur një krim të rëndë lufte nga disa serbë, të cilët duhet të gjenden, të gjykohen dhe të ndëshkohen”, tha Nikoliç për një televizion malazez.

Përgjegjësi kryesor për ngjarjen e rëndë konsiderohet gjenerali Ratko Mlladiç, proçesi ndaj të cilit në gjykatën e Hagës do të rifillojë më 25 qershor dhe gjatë tij do të dëshmojnë rreth 400 dëshmitarë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA