Bankat bllokojnë kreditë

03/06/2012 00:00

Grupimi i bizneseve prodhuese lëshon alarmin se ndërprerja e kredisë nga bankat i ka vendosur sipërmarrjet në një krizë të theksuar likuiditeti duke kërcënuar me falimentin e tyre.

Përmes një njoftimi për shtyp dërguar mediave, e cilëson këtë situatë si të papranueshme, pasi sipas saj sistemi bankar shqiptar është ai me likuiditetin më të bollshëm në rajon. Sipas Konfindustrisë, vetëm në 5 muajt e parë të vitit në bankat shqiptare kanë hyrë 700 milionë euro kapitale të reja nga jashtë, pjesa më e madhe e të cilave nga Greqia fqinje.

Por, industrialistët thonë se këto para po qëndrojnë të fjetura në banka dhe nuk po kanalizohen në kredi për bizneset apo investimet e reja. Në këto kushte Konfindustria i bën thirrje qeverisë dhe Bankës së Shqipërisë që të ndërhyjnë me masa urgjente për të zhbllokuar këtë situatë kontradiktore me pasoja të rënda për biznesin dhe ekonominë në tërësi.

Sipas të dhënave të publikuara nga ky institucion, mungesa e likuiditetit në ekonomi ka bërë që shitjet e bizneseve të pësojnë rënie të fortë duke përkeqësuar edhe treguesit e tyre financiarë. Cdo rënie e mëtejshme e treguesit të shitjeve dhe fitimit, përfundon njoftimi i Konfindustrisë, do të prekte ndjeshëm deri në falimentim para së gjithash industritë prodhuese vendore, duke rrezikuar hyrjen e ekonomisë në një cikël të mbyllur negativ me pasoja të rënda dhe afatgjatë.

Top Channel