Nata finale e Top Fest 9 edhe këtë herë pritet të jetë një nga eventet më të rëndësishme të kalendarit muzikor. Mbrëmja e 3 Qershorit do të kthehet në një paradë të yjeve në tapetin e kuq të Pallatit të Kongreseve në kryeqytet nga ku do të transmetohet live nga ekrani i Top Channel spektakli i mbushur me surpriza dhe performancat më të mira të festivalit, të veçuara pas një përzgjedhjeje të ndarë në tre faza.
Ergys Lubonja, autor dhe regjisor i “Top Fest 9” tregon: “Nga rreth 130 këngëtarë patëm 36 gjysmëfinalistë dhe në 3 Qershor do të kemi 18 finalistë. Për 18 këngët kemi kuruar çdo gjë në detajin më të vogël për të patur një shfaqje me nivel shumë të lartë.”
Drejtimi i spektaklit do të mbajë sërish firmën e treshes simpatike Ledion Liço, Marina dhe Luana Vjollca. Sipas stafit realizues, ka mbi 3 muaj që punohet për të arritur të jepet më e mira e mundshme. Mbrëmjen e finales publiku do të ketë mundësi të ndjekë artistët më të mirë në një shoë të mbushur me performanca të kuruara në detajet më të vogla.
“Kemi vënë re që këtë vit ka jashtëzakonisht shumë këngë të mira. Do të dominojë muzika pop-rock dhe këngët radiofonike. Do të ketë pak balada në natën finale dhe jemi shumë të kënaqur edhe për faktin se ka shumë artistë të rinj”, shprehet Dorian Gjoni, udhëheqës muzikor.
Edhe skenografia këtë vit do të jetë më e veçantë e inovative, e pasuruar me prurjet më të reja teknologjike përsa i përket ndriçimit dhe strukturës me elemente 3 dimensionale të skenës.
“Kemi rezervuar të papritura në imazh dhe teknologji. Do të jetë një spektakël shumë më i madh se herët e tjera”, nënvizon skenografi Fatmir Minga.
Në fund të mbrëmjes, kënga më e mirë do të vlerësohet nga juria me çmimin e madh, duke përmbyllur kështu për të nëntin vit radhazi festivalin e njohur të muzikës bashkëkohore shqiptare.
Top Channel