Kriza, rishikimi i buxhetit

30/05/2012 00:00

Ecuria e dobët e të ardhurave dhe rritja e ngadaltë ekonomike në muajt e
parë të vitit e ka detyruar qeverinë të nisë punën për rishikimin e
buxhetit të shtetit.

“Siç kemi bërë për gjithë këto vite, vijojmë edhe këtë vit të rishikojmë kuadrin tonë makro-ekonomik, objektivat për vitin 2012 në përputhje me zhvillimet në ekonominë globale, në ekonominë rajonale dhe për më tepër në zhvillimet konkrete në ekonominë shqiptare”, tha Bode.

Në buxhetin e këtij viti qeveria ka parashikuar një rritje ekonomike prej 4.3 për qind dhe investime publike në masën 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Kombëtar. Por a janë këto shifra realiste, tashmë që po kalon gjysma e vitit?

“Të gjitha këto janë elementë për t’u vlerësuar konkretisht dhe në përputhje me zhvillimet aktuale të ekonomisë dhe perspektivën e gjashtëmujorit të dytë të mund të formulojmë një objektiv që të jetë sa më i përputhur”, thotë Bode.

Por a do të thotë kjo se rritja ekonomike do korrigjohet në ulje dhe se shpenzimet do shkurtohen?

“Sigurisht çdo gjë është e mundshme. Ekonomia shqiptare nuk është një ekonomi që zhvillohet në eter është një ekonomi konkrete që operon në një rajon konkret. Ajo që duhet përshëndetur është dinamizmi më i lartë në krahasim me vendet e tjera. Kemi një rritje ekonomike pozitive, kur dihet që deklarimet për ekonominë e Eurozonës janë për vijimin e një rënieje ekonomike”, tha Bode.

Zoti Bode nuk bëri të ditur se cilat zëra do të shkurtohen dhe se sa do të jetë masa e shkurtimeve, pasi tha se këto janë ende duke u vendosur.  

Si të frenohet abuzimi i kompanive me regjimin e taksave

Transferimi i çmimeve, një praktikë që përdoret nga bizneset shumëkombëshe për të lehtësuar barrën e taksave ishte në qëndër të një takimi të gjerë që organizoi Korporata Financiare Ndërkombëtare në Tiranë.

Në takim, ku merrnin pjesë ekspertë nga disa vende është diskutuar gjerësisht për pasojat që ky fenomen ka në të ardhurat buxhetore të vendeve të ndryshme dhe investimet e huaja. Kompanitë që operojnë në disa shtete njëherësh, tentojnë t’i transferojnë të ardhurat në vendet me taksa më të ulëta dhe shpenzimet në ato me barrë të lartë fiskale për të ulur kështu artificialisht fitimin e tyre duke paguar më pak taksa.

Në takimin ku merrte pjesë edhe ministri i Financave, Ridvan Bode, ekspertët kanë propozuar disa rrugë apo instrumenta për të parandaluar këtë dukuri.
 

Top Channel