Të dhënat e fundit të Insitutit të Statistikave tregojnë se deficiti tregtar i Shqipërisë arriti të përmirësohej për herë të parë gjatë këtij viti në prill, ku ra me 30.1% krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë.

Kjo ka ndodhur pasi eksportet të cilat kapën një kuotë të ulët në fillim të këtij viti, nisën të ringrihen duke qenë në prill rreth 27.1% më shumë se një vit më parë. Ndërkohë importet ranë me 12.4% krahasuar me të njëjtën periudhë.

Ky përmirësim i bilancit tregtar i vendit është i mirëpritur duke bërë që euro të dalë më pak jashtë vendit, por ai nuk mund të fshehë vështirësitë e ekonomisë.
 
Të dhënat e INSTAT tregojnë se volumi i tregtisë në katër muajt e parë të këtij viti është rreth 2.4% më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë duke dëshmuar një pakësim të aktivitetit në këtë sektor të rëndësishëm për rritjen ekonomike. Por rezulatet më të pakënaqshme të cilat dëshmojnë se kriza ndërkombëtare po i shtrin më thellë degët e saj në Shqipëri janë ato që lidhen me importin e makinerive dhe pajisjeve dhe eksporti i tekstileve.

Sipas INSTAT, eksporti në total ka rritje, por kjo i dedikohet kryesisht shitjes jashtë të lëndëve djegëse ku peshën më të madhe e zë energjia. Por eksporti i  tesktileve dhe këpucëve është më i ulët. Ky sektor është më i rëndësishmi për ekonominë vendase pasi ka një pjesë të konsiderueshme të numrit të të punësuarave, por dhe përfaqëson një nga avantazhet karahasuese të Shqipërisë në tregjet e huaja.

Rezultati më domethënës që tregon se ekonomia po vuan nga një ngërç që ka filluar të bëhet më i fortë është rënia e importit të makinerive dhe pajisjeve. Sipas INSTAT, kjo rënie në prill krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë është rreth 8.9%. Rënia e këtij treguesi, sikundër kanë treguar edhe vrotjime të ndryshme më parë dëshmon se biznesi vendas është në pritje duke stopuar investimet.

Të gjithë këta tregues së bashku tregojnë se jo vetëm ekonomia, por edhe mirëqenia e qytetarëve është më e rrezikuar se më parë.

Top Channel