Qeveria redukton investimet

26/05/2012 00:00

Të dhënat zyrtare të katërmujorit të parë tregojnë se buxheti i shtetit
ka devijuar tashmë nga parashikimet e fillimvitit duke e detyruar
qeverinë të nisë shkurtimin e investimeve publike, për të mbajtur nën
kontroll financat e saj.

Sipas Ministrisë së Financave, në prill qeveria i uli investimet me paratë e buxhetit gati dy herë më pak se sa në muajin mars. Ndërsa si katërmujor investimet këtë vit janë 73 milionë dollarë ose 30 për qind më pak se sa e njëjta periduhë e vitit të kaluar. Të dhënat tregojnë, se kjo është shifra më e ulët e investimeve me paratë e buxhetit që nga 2008-a dhe tkurrja e tyre  duket e lidhur me dy arsye kryesore.

Së pari të ardhurat që qeveria mbledh nga taksat dhe burimet e tjera financiare vazhdojnë të rriten me ritme shumë të ulëta, gati të papërfillshme nëse zhvishen nga inflacioni. Në katër muajt e parë totali i të ardhurave në buxhet ishte 106.2 miliardë lekë ose vetëm 2.5 për qind më shumë se katërmujori i vitit të kaluar. Por ndërsa të ardhurat rriten ngadalë, disa zëra të shpenzimeve janë rritur shpejt, pavarësisht masave shtrënguese të qeverisë. Fatura e shpenzimeve operative dhe të mirëmbajtjes u rrit në periduhën janar prill me 30 milionë dollarë, ndërsa ajo e pensioneve me 16 milionë dollarë krahasuar me vitin e kaluar.

Shkurtimi i investimeve ka qenë metoda më e përdorur nga qeveria për të kompesuar rënien e të ardhurave gjatë tre viteve të fundit. Në fillim të vitit të kaluar buxheti fillestar parashikonte që shpenzimet kapitale të ishin sa 6.2 për qind e prodhimit kombëtar, por mosrealizimi i të ardhurave, e detyroi qeverinë t’i ulte ato, për herë të parë në disa vite, poshtë nivelit 5 për qind.

Këtë vit investimet buxheti parasdhikon që investimet publike të jenë sa 5 për qind e prodhimit kombëtar, kufi ky i përcaktuar nga ministria e financave si i domosdoshëm për të mbështetur rrritjen ekonomike. Por me ritmin aktual të të ardhurave dhe rritjen e e detyrueshme në disa zëra të shpenzimeve, mbajtja e investimeve në këtë nivel është kompromentuar që tani.

Gjasat janë që edhe këtë vit, qeveria të detyrohet për të rishikuar buxhetin, pas muajit qershor, për të korrigjuar me ulje rritjen ekonomike prej 4.3 për qind që ka parashikuar, por edhe për të sjellë me afër realitetit planifikimet optimiste të të ardhurave. Në këto kushte shpresa e vetme që investimet publike të mos goditen fort mbetet privatizimi i 4 hidrocentraleve që ju hoqën Korporatës Elektronergjetike Shqiptare.  

Top Channel