Nga viti në vit përgjegjshmëria e pushtetiti vendor për pastrimin e zonave turistike, kryesisht në bregdet, është rritur. Por, sërish ky angazhim nuk mund ta përballojë ndotjen që prodhon mungesa e edukatës së njerëzve të cilët vazhdojnë të hedhin mbeturinat në parqe pasi i shfrytëzojnë ato.

Anëtarë të korpusit të vullnetarëve nga Tirana, Lezha dhe Shkodra ishin në plazhin e Velipojës, aktualisht plazhi më i madh dhe më i paprekur nga epidemia e ndërtimeve pa leje. Frekuentimi i tij nga pushuesit nuk ka nisur ende dhe kjo ka bërë që puna e komunës për pastrimin e tij të jetë ende e dukshme.

Por kjo vetëm për pak kohë, pasi kjo sipërfaqe rëre të mbushet nga njerëzit ndaj dhe apeli i vullnetarëve u drejtohet pikërisht pushuesve.

Ndërkohë, në parkun e madh të pishave, zonat që frekuentohen nga pushuesit ditorë, mbeturinat e lëna prej kohësh ende sundojnë sipërfaqen e tij.

Pjesët e këtij parku që kanë mbetur ende pa u rrethuar nga gardhet e telave me gjemba të “pushtuesve” të bregdetit përdoren për piknik gjatë verës. Por, veç mbeturinave që kanë lënë këtu ata që i kanë shfrytëzuar, nuk kanë munguar edhe mbeturinat që mund të jenë shkarkuar nga restorantet.

Qindra thasë me mbeturina u mblodhën në këtë park, në një vend ku kazanët e mbeturinave të vendosura nga komuna janë vetëm dhjetë metra larg.
 

Top Channel