Në Senatin Italian u prezantua Shoqata Parlamentare e Miqësisë Itali-Shqipëri.

Kryetari i kësaj shoqate, senatori me origjinë arbëreshe Basilio Giordano shpjegoi se objektivi është realizimi i disa nismave me karakter kulturor dhe ekonomik, por përpara së gjithash synon njohjen e Shqipërisë në Itali.

Ambasadori italian në Tiranë, Massimo Gaiani vuri theksin në vëmendjen e pakët të mediave për Shqipërinë, gjë që ai e cilësoi si një gjynah, për një vend që ofron mundësi të mëdha për sipërmarrjet italiane.
Gjatë prezantimit ambasadori shqiptar në Romë, Llesh Kola përmendi bashkëpunimin e shkëlqyer dypalësh dhe mbështetjen e gjithanshme të Italisë për Shqipërinë.  Një pervoje e tillë, sipas diplomatit shqiptar duhet çuar më tej edhe përsa i përket lobmit për imazhin e Shqipërisë dhe për raportet e saj me Bashkimin Evropian.

Perfaqesuesit e ambienteve akademike, profesor Italo Fortino dhe Ardian Ndreca folën për të shkuarën dhe të ardhmen e marrëdhënieve mes dy vendeve. Profesor Ardian Ndreca tha se shpreson se Italia, edhe nëpërmjet  shoqatës së sapokrijuar të mund të ndihmojë Shqipërinë dhe klasën e saj politike për të bërë hapat e nevojshme në rrugën e reformave, në ecjen drejt Bashkimit Europian që sipas tij është tepër i ngadalësuar.

Shoqata Parlamentare italo-shqiptare deri tani numëron 104 anëtarë, deputetë të dy dhomave të parlamentit, nga të gjitha formacionet politike.

Top Channel