Maestro Agron Aliaj, një jetë kushtuar baletit artistik

17/05/2012 19:00

“Jeta ime ishte e destinuar plotësisht t‘i dedikohej artit të bukur të baletit.” Kështu është shprehur para pak kohësh legjenda e baletit shqiptar, Agron Aliaj, i cili vetëm disa metra larg shtëpisë së tij të dytë u aksidentua pasi kishte përfunduar provat e shfaqjes ”Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë”.

Koreografi me një karrierë të gjatë artistike ka qëndruar për disa muaj nën kujdesin e rreptë të mjekëve me shpresën se do t’i shpëtonin jetën një ndër krijuesve të parë të baletit shqiptar. Por sot ka ndërruar jetë në sallën e reanimacionit të QSUT-së.

Mbaroi shkollën për balet klasik në Moskë, por njëkohësisht iu kushtua krijimtarisë kombëtare duke krijuar një repertor të gjerë të baletit shqiptar. Për të baleti përfshinte  dramat, poezitë, pikturën, skulpturën sepse vetëm nëpërmjet këtyre elementëve njeriu arrin të shprehë atë që nuk mund ta thotë dot me fjalë.

Ai ndërthuri historinë me elementë të traditave kombëtare duke sjellë përpara publikut vepra që nuk do të harrohen kurrë. “Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë”, “Delina”, “Halili dhe Hajria”, “Cuca e maleve”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” janë disa nga veprat më të mëdha të baletit shqiptar të sjella në skenë nga profesor Aliaj.

Një ndër sukseset më të mëdha të karrierës së tij ishte realizimi i ëndrrës së madhe të fëmijërisë: krijimi i shkollës së baletit shqiptar. Gjithë jetën ia kushtoi, baletit, skenës, balerinëve dhe shtëpisë së tij të dytë, Teatrit të Operas dhe Baletit.

“Profesor Aliaj ka qenë gjithmonë shumë aktiv. Ishte shumë i veçantë dhe  e konsideroj fat të madh që kam punuar me të sepse ka qenë profesionist dhe njeri i mrekullueshëm. Ai ka qenë një nga shtysat kryesore që unë nisa seriozisht karrierën në balet”, u shpreh balerini Ezdalin Gorani i ftuar në emisionin ‘Pasdite në Top Channel’.

Ndërsa koreografi Gjergj Prevazi theksoi: “Agron Aliaj ishte një qytetar model. Shoqëria e sotme reagon përgjithëshit pak kur ndodhin tragjedi në jetën e njerëzve me kontribut. I ka bërë nder punës dhe do të jetojë gjatë në kujtesën tonë.”

Më tej Prevazi shtoi: “Agroni është pioner i baletit shqiptar, i pari solist i TKOB dhe i pari që ka prezantuar baletin shqiptar në skenën ndërkombëtare. Shumë i apasionuar pas profesionit të tij dhe balerinët më të mirë shqiptarë kanë dalë nga Agroni. Ka qenë referencë për shumë breza.”

Top Channel