Korrupsion me borxhet e qeverisë

17/05/2012 00:00

Deputeti socialist Erjon Braçe akuzoi qeverinë se përmes një vendimi të
fundit i ka hapur rrugën një skandali të madh korruptiv që lidhet me
dhënien e të drejtës disa kompanive private, për të mbledhur borxhet në
sektorin energjetik.

“Qeveria është detyruar më 29 shkurt të 2012, të nxjerrë një vendim të Këshillit të Ministrave për të miratuar një marrëveshje, e cila nuk bëhet publike midis qeverisë CEZ-it dhe institucioneve të tjera për të zeruar borxhet. E dini cfarë e ka pasuar këtë marrëveshje? Pra pasi u gjet tregu i borxhit të keq, 70 milionë dollarë në vit, pasi doli vendimi i qeverisë, u krijuan tre kompani, njëra pas tjetrës”, tha Braçe.

Zoti Braçe thotë se kjo është një skemë e paracaktuar për të favorizuar biznese të afërta me qeverinë.

“Të treja kompani me një kulm, Balfin Group, ose për t’i rënë më shkoqur të treja kompani me një burim, Zamirin e famshëm, atë që në çdo përurim i vete Kryeministrit pas, të bizneseve të tij private dhe të favoreve që burojnë pikërisht nga kjo vendimmarrje e qeverisë”, tha Braçe.

Sektori energjetik është zhytur në një zinxhir borxhesh të pashlyera, që arrijnë në dhjetëra milionë dollarë.

“E dini sa shkojnë normat e fitimit për të mbledhur këtë borxh? Nga 13 për ndërpreje të energjisë elektrike te konsumatori që nuk paguan, dëri në 20 për qind të vlerës së faturës. T’ju bëj një llogari të thjeshtë 70 milionë dollarë tregu i borxhit të keq, vitin që shkoi për 20 për qind i thonë 14 milionë dollarë që futen nëpër xhepa. I marrin dhe ky është problemi më i madh që shqiptarët kanë sot, kapja e shtetit”, tha Brace.

Top Channel