Dalja e Greqisë nga euro, pasojat në Shqipëri

16/05/2012 00:00

Ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Shkëlqim Cani thotë se skenari potencial i daljes së Greqisë nga Eurozona sjell pasoja të shumëfishta në ekonomitë familjare të shqiptarëve.

Zoti Cani mendon se më të prekurit do të jenë emigrantët dhe familjet e lidhura me ta.

“Kushdo që ka paratë në bankat greke në euro, do t’i kthehen në dhrahmi e pastaj do t’i humbin vlerën. Ky është një ndikim direkt tek emigrantët, nga ana tjetër jo pak emigrantë kanë blerë pasuri në Greqi, si shtëpi, dyqane. Duke u rënë vlera pasurive sigurisht që varfërohen emigrantët shqiptarë. Pastaj ka rënie të pagës reale të të gjithë emigrantëve që janë në Greqi, për pasojë do të ketë më pak para për të gjithë ata që kanë pasuri dhe ata që goditen, mund të jetë një valë e dytë papunësia”, thotë ish-guvernatori i BSH-së.

Zoti Cani thotë se një tjetër kanal, ku dalja e Greqisë godet ekonominë shqiptare është ai i flukseve të tregtisë.

“Shqetësuese mund të jetë për tregtarët tanë që eksportojnë me një praktikë të vendosur nga grekët me pagesë të vonuar. Mund të ndodhë që firma të falimentojë e të ketë problem, por edhe nëse do të ketë pagesë të vonuar koha e nëncmimit, e rënies së vlerës së parasë do të jetë shumë e shpejt kështu që do marrë një vlerë shumë të zvogëluar”, shprehet zoti Cani.

Një nga shqetësimet më të mëdha për daljen e Greqisë nga Eurozona janë pasojat në sistemin bankar. Ish-guvernatori thotë se bankat në Greqi mund të pësojnë tronditje, por filialet e tyre këtu nuk rrezikohen.

“Në kushte relative, mendoj që efekti, të paktën në këto kushte që jemi, do të jetë pothuajse zero për arsye se ka patur mjaft kohë që sistemi bankar vetë, por sidomos Banka e Shqipërisë të marrë masa edhe për t’i kaluar bankat në banka thuajse shqiptare, nuk ka më degë bankash, janë filiale tashmë, por edhe për të mos lejuar më që të kenë kapitale apo blerje aksionesh në Greqi, është zvogëluar shumë”, shton ish-guvernatori Cani.

Por edhe pse sistemi bankar nuk rrezikon, ish-guvernatori thotë se dalja e Greqisë nga Eurozona është një goditje shtesë për ekonominë shqiptare, e cila sipas tij pritet të përballet me dy vite edhe më të vështira.

“Mendoj që edhe viti 2013 është një vit i vështirë për ekonominë shqiptare, bile do të jetë një vit vetëm elektoral, që do shpenzojë paratë për populizëm, por që nuk do të jetë ilaç shërues për ekonominë shqiptare. Pra kjo pritshmëri e keqe për ekonominë shqiptare, duke i shtuar dhe pritshmëritë e këqia të cdo individi, qoftë tek dërgesat më të pakta, rënia e pagës reale të emigrantëve, humbja e pasurive nga emigrantët, sjellja e parave, nxjerrja prap, pra vënia në kushte edhe të kursit të këmbimit, të gjitha këto lëvizje do të jenë me pasojë dhe në totalin e vet sigurisht që do t’i shkaktojnë humbje ekonomisë shqiptare”, deklaron ish-kreu BSH-së, Shkëlqim Cani.

Zërat se Greqia mund të dalë nga Eurozona u forcuan pas zgjedhjeve të para pak ditëve, të cilat e zhytën fqinjin tonë jugor në një krizë të thellë politike, në pamundësi për të formuar qeverinë. Megjithatë zoti Cani mendon se ka ende shpresë që skenari i daljes së Greqisë nga Eurozona të shmanget. 

Top Channel