Berisha: Rrisim pagat e pensionet

16/05/2012 00:00

Duke filluar që nga 1 korriku, qeveria do të rrisë rrogat dhe pensionet.
Në këtë mënyrë, tha kryeministri, vazhdohet tradita e vendosur që prej
vitit 2005, kur demokratët erdhën në pushtet.

 

“Rroga do të rritet në një mesatare 5 për qind. Natyrisht rrogat e larta mund të mos rriten fare ose 1 për qind. Pensionet do të rriten rreth 4 për qind të qytetit, mbi 5 për qind pensionet e fshatit”, tha Berisha.

Kryeministri u ndal në disa kategori, duke dhënë me shifra konkrete rrogën, që këto kategori do të përfitojnë, që prej 1 korrikut.

“Paga mesatare për arsimtarin në arsimin e mesëm do të rritet në masën  58.802 lekë. Ajo ka qenë në vitin 2005, gjithsej 26.831 lekë.  Pagesa për arsimtarin në arsimin 9-vjeçar do të jetë 50.019 lekë. Krahasuar me vitin 2005 ajo ka qenë 22.771 lekë. Mjeku do t’i rritet paga në 57.553 lekë. Në vitin 2005 ka qenë 22.683 lekë.  Paga mesatare e infermierit ka qenë 15.000 lekë, në vitin 2012 do të bëhet 36.725 lekë”, tha Berisha.

Kryeministri nuk la pa sulmuar gjatë edhe kryetarin e Partisë Ssocialiste Edi Rama për shifrat e papunësisë me të cilat zoti Rama sulmon qeverinë.

“Të deklarosh 1 milion të papunë në Shqipëri do të thotë të mos njohësh numrat. E theksoj edhe njëherë, të krijon përshtypjen, se ky zotëri ka ngelur në stadin e bojërave dhe ngjyrave”, tha Berisha.

Po ashtu, kryeministri mbrojti fort edhe sistemin proporcional të taksës, përkundrejt sistemit progresiv që propozojnë socialistët.

“Nëqoftëse në vitin 2004 me sistemin progresiv, të ardhurat tatime-dogana dhe kontribute të mbledhura nga tatimet ishin gjithsej 130 miliardë lekë, në këtë sistem proporcional, ku paguhet shumë më pak të ardhurat nga tatime-dogana dhe kontribute të sigurimeve shoqërore janë mbledhur 288 miliardë”, tha Berisha.

Top Channel