Punësimi, Lagarde: BE rrezikon katastrofën

08/05/2012 10:10

“Në vendet e Evropës së jugut, një person në pesë dhe një i ri në dy nuk gjen dot punë. Kjo është një katastrofë potenciale, në terma ekonomikë, socialë dhe njerëzorë”.

Kështu ka deklaruar drejtoresha e përgjithshme e FMN-së, Christine Lagarde, e cila ka nënvizuar se në nivel botëror janë 200 milionë të papunë, mes të cilëve 75 milionë të rinj.

Sipas Lagarde, problemi i punësimit është jashtëzakonisht serioz në Evropë, ku tregu i punës është dobësuar tej mase.

“Përmirësimi i tregut të punës shpesh herë do të thotë të marrësh vendime të vështira dhe për këtë duhet një dialog konstruktiv mes të gjitha palëve, përfshirë punëtorët dhe ndërmarrjet”, ka thënë Lagarde.

“Reforma e tregut të punës dhe produkteve është shumë e rëndë në vendet që kanë humbur konkurrencën krahasuar me partnerët e tyre, si ato të Evropës së jugut”, ka vënë në dukje shefja e FMN-së.

Reformat, ka nënvizuar ajo, kërkojnë kohë për të zhbllokuar problemin, por koha është pikërisht elementi që këto vende nuk kanë në dispozicion.

“Kështu, në disa raste rrogat duhet të rregullohen dhe në disa raste kjo është pozitive. Por rrogat minimale kërkojnë arritjen e objektivave socialë pasi mund të dëmtojnë të rinjtë dhe punëtorët e pakualifikuar”, ka thënë Lagarde.

Si shembull ajo ka marrë rrogën minimale në Greqi, që është 50 për qind më e lartë se ajo në Portugali, 17 për qind më e lartë se në Spanjë dhe 5 deri në 7% më e lartë se në Rumani e Bullgari.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA