Akuza e AK: PD-PS “tallen” me reformën zgjedhore

29/04/2012 11:20

Aleanca Kuqezi reagoi mbi paktin e 26 partive politike për reformën zgjedhore, duke e konsideruar të gjithë reformën që po diskutohet si një “farsë” e dy partive të mëdha në vend, që po përpiqen të ruajnë avantazhet që u jep sistemi aktual.

Në deklaratën adresuar mediave ditën e dielë, AK u bënte thirrje partive të vogla që të “mos gënjehen nga autografët e PD dhe PS, pasi firma e Berishës dhe Ramës në këtë dokument është vetëm sa për të shtyrë sa më gjatë reformën zgjedhore”.

Sipas partisë më të re politike në vend, “Berisha nuk ka as qëllimin më të vogël për të reformuar sistemin aktual, prandaj po përpiqet vetëm të fitojë kohë, deri kur të jetë shumë vonë për të mirtuar një sistem të ri për zgjedhjet e ardhshme”.

Në vazhdim, AK aludoi nëpërmjet Julian Kolsës se “Berisha nuk do të lejojë kurrë që sistemi aktual të ndryshojë, pasi duke mos i pasur votat e shqiptarëve për të qëndruar në pushtet, ky sistem është shpresa e tij e fundit për të mbajtur pushtetin”.

Megjithatë, në deklaratë shprehej vendosmëria e Aleancës Kuqezi për të garuar në zgjedhjet e ardhshme pavarësisht sistemit dhe vështirësive.

Kur u ngrit 6 muaj më parë, Parlamenti i përcaktoi si detyrë komisionit të kthejë në ligj rekomandimet e ODIHR-it, duke lënë jashtë objektit të punës ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe çdo çështje që lidhet me të.  

26 parti politike në vend, midis të cilave edhe të gjitha forcat parlamentare, firmosën më parë gjatë javës paktin për ndryshimin e sistemit zgjedhor.

Megjithatë, “Top-Channel” zbuloi se firma nuk është detyruese, çka do të thotë se shqyrtimi i kërkesave të partive të vogla vazhdon të mbetet jashtë rendit të ditës për komisionin e reformës zgjedhore.

Kur u ngrit 6 muaj më pare, Parlamenti i përcaktoi si detyrë komisionit të kthejë në ligj rekomandimet e ODIHR-it, duke lënë jashtë objektit të punës ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe çdo çështje që lidhet me të.  

Kjo do të thotë gjithashtu, se Edi Rama dhe Sali Berisha, kanë vendosur që tani për tani, firmat e tyre të kenë vetëm vlerën e autografëve për kryetaret e partive te vogla.

Top Channel