16 raste të reja të prekura nga sëmundja e brucelozës janë trajtuar në spitalin e Gjirokastrës gjatë 3 muajve të fundit.

Sipas epidemiologëve megjithëse kemi një numër më të ulët pacientësh krahasuar me një vit më parë  gjeografia e origjinës së rasteve është zgjeruar tashmë në të gjithë territorin e qarkut madje duke përfshirë edhe zona të konsideruara historikisht sterile.

Në themel të infektimit vazhdojnë të mbeten  bagëtitë e pavaksinuara dhe të prekura prej mikrobit të brucelozës por edhe produktet bujqësore të fermave të vogla që plehërohen me pleh organik që mbart mikrobin.

Fakti që raste janë shfaqur edhe në qytete i ka bërë specialistët të mendojnë jo më për vatra të izoluara por për përhapjen e mikrobit përmes qumështit që shitet në qytet dhe produkteve si sallata dhe qepët që përdoren prej fast food-eve.

Pacientë të shtruar në spitalin Rajonal “Omer Nishani” në Gjirokastër pohojnë se infektimi ka ardhur prej mosvaksinimit të bagëtive , për shkak të kostos se paperballueshme të këtij shërbimi.

Ndërkaq mjeku epidemiolog Xhelo Brahimi pohon se prej depistimit të vatrave dhe dëshmive të pacientëve komunat Ballaban dhe Sukë në Përmet kryesojnë listën e të infektuarve prej brucelozës hartë që zgjerohet në Teplenë me komunat Krahës dhe Izvor ku pacientët kanë pretendime për cilësinë e vaksinave por te infektuar ka edhe ne Gjirokaster ku mendohet se vaksinimi eshte kryer ne masen 100%.

Për herë të parë këtë vit bruceloza ka prekur edhe zona të tilla si Dropulli i Sipërm, infektim që po vjen edhe prej liberalizimit të kullotave dhe mungesës së kontrolleve për blektorët shëtitës.

Bruceloza edhe në Shkodër

Sëmundja e brucelozës është shfaqur edhe tek bagëtitë në zonat e Nënshkodrës. Sipas fermerëve dhe Drejtorisë së Bujqësisë ky po bëhet një fenomen tepër shqetësues.

Banorët në Nënshkodër raportojnë dhe raste  kur kjo sëmundje ka prekur dhe njerëzit. Një nga këto fermerë është dhe Sefer Hoxha nga fshati Trush i Nënshkodrës  i cili ka 300 krerë bagëti, ai kërkon ndihmë pasi rrezikon që sëmundja të prekë edhe familjarët  e tij.
 
Sipas fermerëve zonat ku është shfaqur bruceloza  është Mjeda dhe Trushi dhe sipas tyre  një nga shkaqet e shfaqjes së kësaj sëmundje janë tregtarët që fusin bagëti nga jashtë në mënyrë të pakontrolluar.

Drejtori i Shërbimit Veterinar të Qarkut Shkodër, Selim  Kraja shprehet se aktualisht është një vatër në fshatin Trush që përsëritet herë pas here.

Bagëtitë aty po mbahen të izoluara dhe po pritet një përgjigje nga laboratori i Tiranës. Ndërkohë që ka filluar edhe vaksinimi i bagëtive në të gjithë Qarkun e Shkodrës.
 

Top Channel