Greqia nuk duhet të ishte bërë pjesë e euros, deklaroi ish-drejtuesi i Bankës së Gjermanisë dhe një prej udhëheqësve kryesorë të kalimit të vendeve të Europës në bllok në monedhën e përbashkët euro.

Megjithatë, Ernst Welteke, i cili udhëhoqi Bundesbankun në datat 1999-2004, deklaroi në një intervistë për “BBC” se edhe pa Greqinë, kriza e Eurozonës do të kishte ndodhur dhe se blloku do të ishte përballur me të njëjtat probleme si sot.

Sipas tij, një prej problemeve kryesore të BE-së është shpërndarja e pabarabartë e pasurisë dhe në mënyrë që një problem i tillë të zgjidhet, vendet e pasura duhet të jenë të gatshme të transferojnë më shumë kapitale në vendet më të varfëra të unionit.

“Euro nuk është në një rrezik të tillë siç përflitet”, deklaroi Welteke. “Kjo monedhë ka qenë e qëndrueshme për dhjetë vjet dhe vazhdon të jetë e tillë edhe në mesin e kësaj krize. Pa dyshim, tashmë është e qartë që Greqia nuk ishte e gatshme atëherë për të hyrë në monedhën e përbashkët, por nuk duhet fajësuar ky vend për të gjithë krizën, jashtë dhe brenda BE-së, pasi kjo do të ishte të gënjeje veten”.

Welteke solli në kujtesë se “Greqia përbën vetëm 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Eurozonës dhe BE e Eurozona do të vazhdojë të funksionojë edhe pa ta. Megjithatë, në këtë pikë, nuk besoj se largmi i Greqisë mund të sillte ndonjë të mirë dhe as do të zgjidhte ndonjë problem”.

Dalja e Athinës nga grupi i 17 vendeve që përdorin monedhën e përbashkët, sipas ish-kreut të Bankës së Gjermanisë, do t’i krijonte problemeve vetëm Athinës, që do të duante të ripaguante kreditë që ka marrë me një monedhë më të dobët dhe kjo do t’i krijonte vështirësi për të marrë hua të reja.

Top Channel