
Qindra punëtorë ukrainas po punojnë për të ndërtuar sarkofagun e ri të
reaktorit numër 4 të çentralit atomik të Çernobillit, ku ndodhi
tragjedia më e rëndë bërthamore në historinë e njerëzimit.
Ata duhet të ndërtojnë një kafaz prej 30 mijë tonelatash për të burgosur ferrin.
Kur kanë kaluar 26 vjet nga katastrofa, presidenti ukrainas Viktor Yanukovich do të festojë simbolikisht nisjen e punimeve për ndërtimin e harkut të madh të strukturës kufizuese.
Struktura e re do të vendoset mbi sarkofagun e vjetër, i ndërtuar në vitin 1986, menjëherë pas tragjedisë, për të mbuluar reaktorin.
26 vjet më pas, një ushtri me punëtorë ukrainas të zgjedhur për ndërtesën e re po punon në një kontekst tërësisht të ndryshëm.
“1 mijë punëtorë do të punojnë njëkohësisht në momentet e aktivitetit maksimal, por në total do të jenë 2 mijë, sepse skuadrat do të alternohen me 15 ditë prani të vazhdueshme në impiant dhe 15 ditë pushim”, ka sqaruar një zëdhënës i kompanisë që menaxhon punimet.
Impianti i çentralit të mallkuar duket si një kantier i madh dhe përgatitjet për ceremoninë e sotme, simbolikisht në ditën e 26-vjetorit, janë në zhvillim e sipër.
Harku i ri do të jetë 108 metra i lartë, 162 i gjatë dhe 257 metra i gjerë, dimensione këto në gjendje për të mbuluar Statujën e Lirisë ose një stadium për 80 mijë spektatorë.
Top Channel