Borxhet ndaj CEZ, nis ekzekutimi nga përmbaruesit

23/04/2012 00:00

Që nga nëntori i vitit të kaluar, kompania CEZ Shpërndarje ka nisur
bashkëpunimin me kompanitë private të përmbarimit për ekzekutimin e
urdhërave ekzekutivë, lëshuar nga gjykatat e rretheve përkatëse për
klientët debitorë.

Në bashkëpunim me 10 kompani private përmbarimore, ky projekt po zbatohet në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

Çdo muaj kompania çon në gjykata rreth 5-6000 raste për klientë debitorë, që përfshijnë klientë familjarë, privatë, buxhetorë e jobuxhetorë. Brunilda Vlasha, juriste prane kompanise CEZ Shpërndarje, ka shpjeguar per Top News, format e reja për të rritur arkëtimet dhe përmirësuar cilësinë e shërbimit që kompania u ofron klientëve të saj.

Juristja ka shpjeguar hapat që ndërmerren para se cështja të shkojë në gjykatë. Numri i rasteve të dhëna për ekzekutim deri më sot eshte 1.391. Nëse çështja ka shkuar në gjykatë dhe faktohet që klienti ka paguar detyrimin, ne heqim dore nga kerkesa për lëshim të urdhërit ekzekutiv, duke e cilësuar detyrimin si të përmbushur.

Ndërkohë, nëse çështja është dërguar dhe ka nisur procedimi nga kompania e përmbarimit, ajo mund të pushohet në momentin kur faktohet që klienti ka kryer pagesën dhe procedohet me kthim prapa, pra pushohet si çështje sipas procedurave ligjore të Kodit të Procedurës Civile. Në ligj është parashikuar që, në çdo moment, të ketë kthim prapa, në rast se debitori kryen pagese.

CEZ Shpërndarje mundëson për të gjithë klientët marrëveshje, të cilat ofrojnë pagesë me këste të detyrimeve që klientet kanë, gjithmonë brenda afateve ligjore ekzekutive, që do të thotë jo më shumë se gjashtë muaj.

 

Top Channel