Partia Socialiste, dorëheqjen e gjyqtarit, Petrit Plloçi nga Gjykata
Kushtetuese, e ka komentuar si një sirenë alarmi për gjyqësorin
shqiptar.

Nënkryetari i Komisionit Parlamentar të Ligjeve Fatmir Xhafaj, në një deklaratë për mediat, u shpreh se  emërimet politike dhe klienteliste në institucionet e gjyqësorit e kanë goditur rëndë këtë sistem.

“Është goditur parimi thelbësor kushtetues i funksionimit të shtetit të së drejtës, ndarja dhe balancimi i pushteteve, për shkak të përpjekjeve të qeverisë, për të vendosur nën kontroll politik pushtetet e pavarura. Efiçenca e gjyqësorit është cenuar rëndë edhe për shkak të emërimeve politike, klienteliste e joprofesionale, veçanërisht në Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë dhe Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe në drejtimin e gjykatave të vendit”, tha Xhafaj.

Zoti Xhafaj është ndalur edhe në çështjen e mbarimit të mandatit të dy anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe prapavijën politike të mazhorancës për mos zëvëndësimin e tyre.

“Vendimi në fjalë i kësaj gjykate, që në respekt të standardeve të vendosura po nga ajo vetë ndër vite, sot mund të konsiderohen pa frikë gjykatë e paligjshme. Eshtë pjesë dhe zgjatim i qëndrimeve antikushtetuese të mbajtura nga kryetarja e Kuvendit për mosshqyrtimin e dekreteve presidenciale dhe kthimin e paprecedentë, administrativisht të tyre me një synim të vetëm, mbajtjen e tre vendeve bosh për t’i dekretuar me Presdientin e ri, produkt të kësaj maxhorance”, tha Xhafaj.

Vendim të fundit të Gjykatës Kushtetuese që i heq opozitës të drejtën për të ankimuar, zoti Xhafaj e ka cilësuar si një tjetër cënim të Kushtetutës.

“Nga faqja zyrtare e Gjykatës jemi njohur me faktin se me një vendim tjetër absurd, ka vendosur t’i heqë opozitës të drejtën kushtetuese të ankimimit, t’i kufizojë pa të drejtë legjitimitetin që vetë neni 134 i Kushtetutës i ka dhënë një të pestës së deputetëve. Në mënyrë më të plotë ne do të shprehemi sapo të kemi vendimet e arsyetuara, por për sa është bërë publike nga media më duhet të theksoj se “kjo kompetencë, ndër të tjera, i krijon mundësi reale veçanërisht opozitës që të jetë sa më aktive” për mbrojtjen e rendit kushtetues”, tha Xhafaj.

Top Channel