Greqi, vriten dy punëtorë, njëri shqiptar

21/04/2012 11:35

Dy punonjës ndërtimi janë ekzekutuar në ishullin Mitilini, në Egjeun jug-lindor. Ngjarja ndodhi në vendin e quajtur Shën Jani, në komunën Qeramion të këtij ishulli.

Sipas policisë lokale, viktimat janë një shtetas grek 30 vjeç dhe një shqiptar 39 vjeç. Trupat e pajetë të dy viktimave, emrat e të cilëve nuk bëhen publikë për momentin, u gjetën nga një kalimtar i rastit.

Burime policore thanë se dy viktimat ishin qëlluar nga afër me armë zjarri teksa ndodheshin në makinën e tyre, në kohën që po ktheheshin nga puna, në një zonë periferike të ishullit.

Në vazhdim, ekzekutorët i vunë flakën makinës në të cilën ndodheshin trupat e viktimave, por era e fortë bëri që flakët e zjarrit të fiken shpejt. Policia ka filluar hetimet lidhur me ngjarjen.

Burime policore thanë se pistat e hetimit janë ajo e larjes së hesapeve, ose viktimat u bënë pa dashje dëshmitarë të ndonjë afere dhe u ekzekutuan për të mos dëshmuar.

Ishulli i Mitilint konsiderohet si zonë e qetë dhe pa probleme. Kjo është vrasja e parë që ka ndodhur në këtë ishull gjatë viteve të fundit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA