CEZ, tërhiqet qeveria

21/04/2012 19:35

Vizita e kryeministrit çek në Tiranë duket se ja ka arritur qëllimit për të bindur qeverinë shqiptare të lehtësojë financiarisht kompaninë CEZ. Top Channel ka mësuar se qeveria ka pranuar të rishikojë vendimin e Entit Rregullator, që rriti çmimin me të cilin KESH i shet energji CEZ.

Vendimi, i cili ka hyrë në fuqi që prej 1 janarit të këtij viti, e rriti çmimin me të cilin CEZ blen energji nga KESH nga 1.48 lekë për kilovat/orë në 2.83 lekë, pa ndryshuar tarifën fundore që paguajnë konsumatorët.

Por pas bisedimeve mes dy kryeministrave, qeveria shqiptare ka pranuar të lëshojë duke premtuar rishikimin e këtij vendimi. Lajmi konfirmohet edhe nga mediat çeke. E përditshmja “Prague Post” shkruan se dy kryeministrat kanë arritur një marrëveshje, sipas të cilës kompania mëmë në Pragë angazhohet të investojë më shumë kapital për të përballuar humbjet financiare të CEZ në Shqipëri dhe në këmbim qeveria shqiptare do rishikojë zinxhirin e çmimeve të energjisë.

Burime konfidenciale thanë për Top Channel se varianti më i mundshëm është ai që çmimi i KESH të zbresë nga 2.83 në 2.2 lekë për kilovat dhe e gjithë kjo ulje kalon si rritje e çmimit që përfiton CEZ.

Çfarë humb qeveria?

Llogaritjet tregojnë se nëse pjesa e çmimit që përfiton KESH ulet nga 2.83 lekë 2.2 lekë për kilovat,  të ardhurat e Korporatës Publike të Energjisë tkurren me 33 milionë dollarë në vit. Por KESH ndodhet vetë në krizë të rëndë financiare. Thatësira e vitit të kaluar dhe borxhet e parapambetura të CEZ, të cilat tashmë kanë arritur në 100 milionë dollarë, i kanë rrënuar financat e korporatës.

Kjo do të thotë se barra financiare e rishikimit të çmimeve do u ngarkohet sërish qytetarëve, pasi qeveria do detyrohet të japë të tjera para nga buxheti për të garantuar importin e energjisë sikur bëri vitin e kaluar.

Në final rishikimi i çmimeve, do të thotë se për tre vitet e ardhshme, qeveria shqiptare do të subvencionojë me 100 milionë dollarë të tjera CEZ, shifër kjo e barabartë me borxhet që kompania çeke ka ndaj KESH.

Vitet e fundit çmimi me të cilin KESH i shet CEZ është ndryshuar disa herë nga qeveria dhe Enti Rregullator. Në 2010, Enti vendosi të ulë çmimin e KESH nga 2.02 në 1.48 lekë për kilovat/orë, por kjo nuk u pa me sy të mirë nga qeveria çka solli largimin e ish-kryetarit të ERE-s Bujar Nepravishta.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Enti bëri veprimin e kundërt, teksa e rriti çmimin e shitjes për KESH nga 1.48 në 2.83 lekë për kilovat/orë, vendim që cënonte financat e CEZ.

Këto lëvizje të shpeshta të çmimit ngjajnë më shumë si përpjekje të dëshpëruara të qeverisë për të mbajtur në ekulibër një treg kaotik dhe të shthurur financiarisht, ku dy kompanitë kryesore KESH dhe CEZ janë në vështirësi financiare.

Top Channel