Vlore, gjykata pushon akuzat ndaj Bollanos

20/04/2012 00:00

Gjykata e Vlorës në datën 19 prill ka vendosur të pushojë akuzat ndaj ish-kryetarit të bashkisë se Himarës, Vasillaq Bollano dhe katër zyrtarëve të tjerë të këtij institucioni, të cilët akuzoheshin nga prokuroria për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh.

E vecanta e këtij vendimi është se ai nuk është marrë pas gjykimit dhe verifikimit të fakteve, por me argumentimin se ndjekja penale nuk mund të vazhdojë.

Për të arritur në këtë vendim, Gjykata e Vlorës ka shënuar një precedent të cuditshëm. Ndryshe nga shumë gjykata të vendit të cilat kalojnë vite të tëra duke gjykuar një cështje, për rastin konkret cështja ndaj Bollanos nuk gjykohej që nga dhjetori i vitit 2009.

Shkak ishin dorëheqjet e njëpasnjëshme të gjyqtarëve që caktoheshin për ta gjykuar. Këto dorëheqje kanë bërë që cështja të mbetej e pagjykuar për gati 2 vite e gjysmë për të mbërritur tek gjyqtari Skënder Haluci, i cili ka vendosur menjëherë pushimin e ndjekjes penale pa shqyrtuar provat dhe hetimin e kryer nga prokuroria e Vlorës.

Ende nuk dihen arsyet mbi bazën e të cilave gjyqtari Haluci mori këtë vendim, ndërsa i takon Këshillit të Lartë të Drejtësisë të verifikojë se sa të arsyeshme kanë qenë dorëheqjet e gjyqtarëve, duke shtyrë për 2 vite e gjysmë gjykimin e ish-kryetarit të bashkisë së Himarës dhe katër zyrtarëve të tjerë të akuzuar për shpërdoprim detyre dhe falsifikim të formularëve dhe dokumenteve.

Top Channel