Ashtu sic paralajmëroi një ditë më parë në intervistën e gjatë në “Top Story”, ku u vetëofrua si kandidat për president, ish-lideri i socialistëve dhe ish-kryeministri Fatos Nano nisi serinë e takimeve me kryetarët e partive parlamentare, me platformën e tij për postin e kreut të shtetit.

Takimin e parë në atë që mund të quhet fushata presidenciale shqiptare, kandidati i parë i vetëshpallur, Fatos Nano, e zhvilloi me kreun e LSI-së Ilir Meta.

I pari në takim mbërriti Ilir Meta dhe pak minuta më pas edhe Nano. 15 minuta më vonë tryezës së dy ish kryeministrave i është bashkuar Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, një mik i hershëm i zotit Nano.

Duke u prononcuar për median pas rreth 90 minuta takim, as Fatos Nano dhe as Ilir Meta nuk përmenden në deklaratat e tyre fjalën mbështje, por toni i tyre linte të kuptonte se ndasitë e vjetra duket se i takojnë të shkuarës.

“Siç kam deklaruar edhe publikisht nisa turin e konsultave me përfaqësuesit e partive paralmentare. Është një koincidencë sinjifikative që kjo gjë nisi me zotin Meta si një drejtues i partive që ka integrimin prioritar në programin e saj, LSI. Jemi duke identifikuar me shumë pjekuri dhe qetësi mundësitë që ekzistojnë për të ndërtuar së bashku një proces sa më konsensual të mundshëm që do të ishte në përputhje me vlerësimet që unë kam me axhendën aktuale të integrimit europian të Shqipërsië”, deklaroi Nano.

“Unë vlerësoj në radhë të parë mesazhet konstruktive për t’i shëbyer një procesi pozitiv dhe pavarësisht nga diagrama e raporteve të mia me zotin Nano në të kaluarën, duhet të vlerësojmë që është një politikan me eksperiencë i cili ka dhënë kontribute për t’i shërbyer c’tensionimeve politike në momente serioze, që është politikan që i ka shërbyer rotacionit demokratik të pushteteve. Unë vlersoj që ai e shikon këtë kandidim si një kontribut për këtë proces dhe jo për t’u vënë në funksion të palëve. Me këtë rast dua të shpreh dhe mendimin tim, por mendoj se edhe të LSI, që institucioni i Presidentit nuk duhet kuptuar si një llogore më shumë i njërës palë, kundër palës tjetër”, tha  Meta.

Fatos Nano u prononcua edhe për deklarimin e kryeministrit Berisha se mazhoranca do të ketë kandidatët e saj në garën presidenciale, bërë ditën e aksionit kundër plehrave.

“Unë besoj se Kryeministri bën mirë që nuk sposton axhendën e shpallur edhe për pastrimin e Shqipëisë nga ndotjet dhe me sa kuptova unë nuk bëj pjesë në ndotjet që kanë krijuar probleme për Shqipërinë”, u përgjigj Nano.

Zoti Nano tha se javën e ardhshme ai planifikon të takohet me liderin e opozitës Edi Rama. Ky takim përvec rëndësisë së asaj cfarë do të prodhojë,  pritet me kureshtje për vëndin se ku do të zhvillohet.

A do të ngjisë Fatos Nano shkallët e selisë Rozë për tu takuar me Ramën në selinë e partisë që ai themeloi, kësaj here për të kërkuar mbeshtetjen e PS? Apo do të jetë Rama ai i cili do të pranojë të takohet me Nanon përsëri në të njëjtim ambient ku këto 15 vitet e fundit, janë “gatuar” edhe shumë marrëveshje të rëndësishme politike.

Nano president? Reagon Berisha

Sali Berisha mund ta takojë Fatos Nanon për të dëgjuar platformën e tij presidenciale në përpjekje që lideri historik i së majtës të marrë mbështetjen e aktorëve kryesorë politikë për një kandidim konsensual.

Por Sali Berisha nuk është gati të pranojë Fatos Nanon si një kandidat konsensual. I pyetur nga gazetarët, kryeministri u përgjigj shkurt, por bëri të qartë se Partia Demokratike do të ketë kandidatin e saj, i cili do të vendoset nga forumet e forcës më të madhe në pushtet.

“Unë i kam bërë komentet e mia. Kandidati do të jetë një nga personalitetet e PD”, deklaroi Berisha.

Nëse nuk ka konsensus, pra nëse një kandidat për president nuk siguron 84 vota, 3 raundet e para për zgjedhjen e kreut të shtetit do të mbyllen pa sukses dhe votimi quhet i kryer edhe nëse në garë nuk paraqitet asnjë kandidat.

Nëse nuk ka konsensus, e gjithë beteja mes kandidatëve për president do të zhvendoset në 2 raundet e fundit.

Sipas ndryshimeve që iu bënë Kushtetutës 4 vjet më parë, president zgjidhet kandidati që merr të paktën 71 vota, që është dhe numri magjik për të mos çuar vendin në zgjedhje.

Ish-kryeministri socialist Fatos Nano e shpalli ambicjen e tij për të marrë drejtimin e postit të kreut të shtetit mbrëmjen e së enjtes në emisionin “Top Story”, në Top Channel.           

Top Channel