Gjirokastër, kapen 120 kg marijuanë

19/04/2012 09:45

Policia e qytetit të Gjirokastrës ka sekuestruar mbrëmjen e së mërkurës një sasi droge të llojit marijuanë prej 120 kilogramësh.

Lajmin e bëjnë të ditur burime policore lokale, sipas të cilave lënda narkotike ishte e ndarë në pesë çanta dhe po transportohej drejt kufirit me Greqinë.

Burimet saktësojnë se droga u sekuestrua nga forcat e rendit në komunën Pogon, pranë grykës së lumit të Sukës.

Ndërkohë, transportuesit e marijuanës kanë arritur të shpëtojnë, pasi janë larguar duke përfituar nga errësira dhe moti i keq.

Shqipëria vazhdon të jetë vend ku kultivohen drogat e lehta, të cilat transportohen për në Greqi dhe Itali, prej nga kalojnë më pas edhe në vende të tjera evropaine.

Më herët gjatë muajit të paktën 885 kilogramë lëndë narkotike e llojit kanabis sativa u sekuestruan prej policisë greke në zonen e Epirit, gjatë një super operacioni.

Javën e kaluar ministri i Brendshëm, Bujar Nishani ishte i pranishëm në takimin e përvitshëm për luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike, ku duke iu referuar një raporti të Interpolit, u shpreh se kultivimi i kanabisit vazhdon në Shqipëri, por harta e tij vjen duke u zvogëluar.

Por raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit, kur vjen fjala tek përcaktimi që i bën në vija të përgjithshme pozicionit të vendit tonë thotë: Shqipëria vazhdon të mbetet vend tranzit i drogës për Europën Perëndimore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA