“Të vegjlit”, tryezë për Kodin Zgjedhor

18/04/2012 20:00

Partitë e vogla të spektrit të djathtë dhe të majtë kanë unifikuar qëndrimin për reformën zgjedhore dhe kanë hartuar një dokument ku bashkarisht shprehin pakënaqësitë ndaj qëndrimit të deritanishëm të PD-së dhe PS-së.

Një prej partive në koalicionin qeverisës, së bashku me një prej partive aleate të PS, kanë propozuar një tryezë të henën e ardhshme nga ku do të paraqesin propozimet për ndryshimin e sistetimit aktual zgjedhor.

Top-Channel ka siguruar një kopje të kësaj ftese përmes të cilës iniciatorët e kësaj tryeze do të tentojnë mbledhjen e opinioneve, hartimin dhe miratimin e përbashkët të ndryshimeve që duhen përfshirë në Kodin Zgjedhor.

Propozimet do të vilen nga 23 forca politike të ftuara në këtë tryezë mes tyre. Formati i tryezës është në nivel kryetarësh, ndaj dhe ftesa i ka shkuar kryetarit të PD-së Berisha dhe kryetarit të PS-së, Rama.

Në materialin për diskutim janë renditur tre propozime, për të cilat të vegjlit pretendojnë të marrin dakordësinë e dy aktrorëve kryesorë në tryezën e reformës zgjedhore.

Propozimi i parë ka të bëjë me llogaritjen dhe shpërndarjen e mandateve me qëllim korrektimin proporcionalisht të votave për çdo subjekt zgjedhor, pasi sipas partive të vogla kodi aktual, me formulën e përllogaritjes, deformon vullnetin e votës së qytetarëve.

Ndryshimi që kërkohet të arrihet konsiston në “Aplikimin e një formule që realizon një ndarje të plotë proporcionale brenda koalicionit në nivel rajonal”.

Korrektimi për ndarjen e mandateve në nivel kombëtar është propozimi i dytë. Ata kërkojne përcaktimin e kuotës së votave që i takon një mandati në nivel kombëtar dhe nga numri i mandateve që fiton çdo parti po në nivel kombëtar, zbriten mandatet e fituara drejtpërdrejt në rajon.

Si nënpikë e këtij propozimi është edhe ulja e pragut elektoral në 2% e partive që konkurojnë më vete dhe 4% për koalicionet. Aleatët e PD dhe PS kërkojnë gjithashtu që në Kodin Zgjedhor të sanksionohet të paturit e një aksesi të plotë në proçesin zgjedhor nga të gjitha subjektet konkurruese.

Top Channel