Janë pasuri të vyera që trashëgohen brez pas brezi, janë pjesë e historisë, zbukurojnë vendet ku ndodhen, duke rrëfyer kulturen dhe civilizimin e tyre, jane monumentet e kulturës.

18 prilli është dita ndërkombëtare e tyre. Në këtë ditë, në Tunizi në vitin 1982, Komiteti Ndërkombetar i Muzeve dhe Siteve, sugjeroi që të krijohej një ditë për të kujtuar dhe festuar diversitetin e trashëgimisë kulturore neë botë.

Një vit me pas, konferenca e përgjithshme e UNESCO-s miratoi sugjerimin, duke kaluar një rezolutë me rekomandimin për shtetet anëtare të saj që të shikonin mundesinë për shpalljen e 18 prillit si dita ndërkombëtare e monumenteve dhe siteve kultorore.

Sot, në të gjithë Shqipërinë, mund të vizitohen të gjitha sitet, muzeumet e galereritë shtetërore falas.

Shqipëria ka 2110 monumente kulture të vendosura përgjatë të gjithë vendit. Parqet arkeologjike janë ato të Butrintit, Shkodrës, Lezhës, Apollonisë, Amantais, Orikumit. Finiqit e Antigonesë.

Muzeume arkeologjike janë në Butrint, Apolloni dhe Durrës. Të tjera ikonografike janë në Korçë, Berat dhe një sektor i tillë në Muzeumin Kombëtar në Tiranë.

Rreth 280 kështjella që datojnë nga periudha e antikitetit e deri në mesjetën e vonshme. Por, në këtë ditë dedikuar këtyre pasurive, nuk mund të mos flitet edhe për rrezikun që u kanoset një pjese të tyre.

Rreth 35% e monumenteve të kulturës ne vend janë në rrezik për shkak të gjurmëve të kohës, por edhe papërgjegjshmërisë së institucioneve dhe njerëzve.

Pasuritë e Voskopojes renditen ndër 100 trashegimitë më të rrezikuara në botë. Duke celebruar pasuritë kulturore të Shqipërisë e në pritje të ndërhyrjes serioze të institucioneve, jo vetem në 18 prill, por në çdo ditë të vitit, ndoshta ndërgjegjja qytetare do të të ishte një menyre e mirë për t’u kaluar brezave të ardhshëm pasuritë që na lanë të parët.

Top Channel