Paskal Milo, kryetari i Partisë Demokracia Sociale kritikon zërat brenda Partisë Socialiste, që tentojnë të sfumojnë rolin e partive të vogla aleate.

“Ka nevojë për një rikonceptim të koalicionit opozitar. Jo më një kuptim tradicional, ku partitë aleate shërbejnë si dekor, keqpërdoren nga PS, sa herë që ajo ka nevojë për fjalime në protesta, demostrata apo në sheshe, por për një rikonceptim të Aleancës Opozitare, ku partneriteti i sinqertë të jetë baza e ndërtimit të kësaj aleance dhe as mos të konceptohen si shtojca të PS”, tha Milo.

Zoti Milo kërkon nga përfaqësuesit e Partise Socialiste në Komisionin e Reformës elektorale më shumë këmbëngulje në përcjelljen e kërkesave të partive aleate dhe jo justifikime.

“Eshtë e vërtetë që zoti Rama shpesh është deklaruar në mbështetje të kërkesave që kanë bërë partitë e spektrit të majtë dhe të djathtë për korrektimin kombëtar të sistemit aktual proporcional dhe rajonal. Por përtej këtyre deklaratave ne duam të shohim një këmbëngulje të PS në Komisionin Parlamentar aq sa ajo këmbëngul për identifikimin elektronik të zgjedhësve, aq sa ajo po këmbëngul edhe për numërimin elektronik të votave në përfundim të procesit zgjedhor, po aq ajo duhet të këmbëngulë edhe për korrektimin kombëtar të sistemit aktual sepse ky element është po aq i rëndësishëm sa të tjerët, për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme e cila ka qenë ‘alfa’ dhe ‘omega’ e propagandës dhe marrëdhënieve me publikun e që ka patur PS gjatë këtyre viteve duke u nisur nga fakti që zgjedhjet e 2009-ës janë të manipuluara”, tha Milo.

Paskal Milo e shikon me skepticizëm të gjithë procesin në zgjedhjen e presidentit të ardhshëm kur thotë se: “Nga gjithçka që flitet dhe shkruhet shpresoj që do të mbetet fare pak, se jam i bindur që në fund do të vendosin numrat dhe jo koncepti gjithëpërfshirës i gjetjes së një konsensusi në lidhje me Presidentin e Republikës”.

Top Channel