FMN: Bie rritja ekonomike shqiptare

17/04/2012 20:10

Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon kohë të vështira për ekonominë shqiptare, e cila sipas ekspertëve të FMN po hyn në një periudhë të gjatë ngadalësimi dhe rritje të ulët ekonomike.

Në raportin e sapopublikuar mbi gjendjen e ekonomisë botërore, FMN vlerëson se ekonomia shqiptare do të rritet gjatë këtij viti me vetëm 0.5 për qind, për të vazhduar më pas një seri disavjecare me rritje të ulët ekonomike.

Për vitin e ardhshëm, Fondi parashikon se rritja ekonomike e Shqipërisë do të jetë 1.7 për qind dhe kjo situatë me rritje të ngadaltë do të vazhdojë të paktën deri në vitin 2017.

Ky parashikim i zymtë i FMN-së për ekonominë shqiptare, ne fakt ecën në të njëjtën linjë me pritshmëritë që ky institucion ka edhe për ekonomitë e tjera në zhvillim të rajonit tonë.

Sipas “FMN”, në vendet e Europës Qëndrore dhe asaj Lindore, rritja ekonomike mesatare do të tkurret në 2013 në 1.9 për qind, nga 5.3 që ishte vitin e kaluar.

Fondi Monetar Ndërkombëtar kishte parashikuar që në fillim të vitit se rritja ekonomike e Shqipërisë do të tkurrej në 2013-ën gati në nivele stanjacioni dhe i ka qëndruar këtij vlerësimi edhe në rishikimin më të fundit të shifrave, ndryshe nga sa ka ndodhur me ekonomitë e tjera të rajonit.

Në janar, Fondi vlerësonte se për vendet e Europës Qëndrore dhe asaj Lindore, ku bën pjesë dhe Shqipëria, rritja ekonomike mesatare do të ishte 1.1 për qind gjatë këtij viti.

Por në rishikimin e fundit rritja mesatare e rajonit vlerësohet 1.9 për qind, ndërsa ajo e Shqipërisë ka mbetur e pandryshuar me vlerësimin e janarit prej vetëm 0.5 për qind.

Top Channel