Zgjedhja e nënkryetarit të KLD

16/04/2012 22:15

Ilir Mustafaj u propozua nga presidenti, Bamir Topi për postin e nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ndërsa votimi për të do të jetë të mërkurën në mëngjes. Ashtu sic edhe pritej mbledhja e KLD-se u shoqërua nga debate.
 

Mbledhja nisi me verifikimin e mandatit të Elvis Cefës, i cili u zgjodh javën e shkuar me votat e maxhorancës, ndërsa Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi kërkoi që mbledhja të zhvillohet me dyer të hapura. Por ky propozim nuk u pranua dhe u rrëzua me votë.
 
Mbledhja u ndërpre për të vijuar pas mesditës me votimin për nënkryetarin e ri të KLD-së, por për shkak të axhendës të Presidentit Topi votimi u shty, pas dy ditësh.

Ministri i Drejtësisë kërkoi që zgjedhja e nënkryetarit të KLD-së të bëhet pasi të zgjidhet presidenti i ri. Arsyeja tjetër e Halimit, ishte se me zgjedhjen e Mustafajt në postin e nënkryetarit, gjyqësori mbetet i përfaqësuar me 8 dhe jo me 9 anëtarë në KLD.

Por presidenti Topi ka argumentaur në fjalën e tij se ai në cilësinë e kryetarit të KLD-së, mund të propozojë cdo anëtar për postin e nënkryetarit, përjashtuar Ministrin e Drejtësisë dhe Kryetaren e Gjykatës së Lartë.

Me 8 vota pro, në mbledhjen e KLD ka fituar qëndrimi i presidentit Topi, ndërkohë që votimi për zgjedhjen e nënkryetarit të ri do të zhvillohet të mërkurën.

Top Channel