Lezhë, vidhnin me armë banesa, kapen 6 hajdutë

16/04/2012 00:00

Forcat e policisë së Lezhës vunë në pranga gjashtë shtetas, të cilët
akuzohen për vjedhje me armë. Burime zyrtare nga policia e qarkut Lezhë,
bëjnë të ditur se katër nga të arrestuarit janë nga Kurbini dhe dy të
tjerët nga Mirdita.

Nga i njëjti burim mësohet se në kuadër të operacionit të koduar “Marlboro” është bërë e mundur kapja në flagrancë e vëllezërve, Erjon dhe Severjan Tushe, të cilët po tentonin të vidhnin një dyqan, ndërsa u janë dokumentuar edhe 7 vjedhje të tjera të kryera gjatë 3 muajve të fundit.

Ndërkohë, në një operacion tjetër të koduar “Mesnata”, janë arrestuar edhe katër persona të tjerë me banim në Kurbin. Ata janë, Aranit Rama, Albano Gjetani, Xhuliano Dangaj dhe Elton Kaçorri, të cilët akuzohen se kanë tentuar të grabisin me armë një banesë në qytetin e Mamurrasit.

Nga sa bëhet e ditur, në momentin e ndalimit atyre u është sekuestruar një armë zjarri automatik dhe makina me të cilën transportonin sendet e vjedhura.

Top Channel