Kapshticë dhe Kakavijë, nuk ka fluks në kufi

16/04/2012 00:00

Emigrantët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi, pasi festuan
Pashkët me të afërmit e tyre në Shqipëri nisën të kthehen paraditen e së
hënës.

Në pikën kufitare të Kapshticës nuk ka pasur fluks dhe sipas autoriteteve policore situata konsiderohet normale. Nga të dhënat zyrtare 1451 persona kanë dalë nga Shqipëria përmes Kapshticës, si dhe 370 mjete. Ndërkohë, thuajse shifra të njëjta janë edhe për personat që kanë kaluar tokën greke për të hyrë në Shqipëri.

Policia tha në territorin shqiptar kanë hyrë 1475 persna dhe 349 mjete. Parashikohet që të ketë fluks të emigrantëve gjatë orëve të mbrëmjes, por edhe ditës së martë.

Edhe në pikën kufitare të Kakavijës paraqitet një situatë normale. Sipas të dhënave të Policisë, pala greke punon me kapacitet të plotë, ndërsa pala shqiptare ka një personel më të reduktuar për shkak se nuk ka probleme për personat që hyjnë në territorin shqiptar.

Nga të dhënat e deritanishme rezulton se 3200 shtetas kanë dalë mëngjesin e së hënës nga Shqipëria, ndërsa vetëm 950 kanë prekur territorin shqiptar. Ndërsa mjetet që kanë lënë Shqipërinë janë 920 dhe që janë kryesisht autobusë, por edhe makina private të emigrantëve shqiptarë, të cilët që prej të premtes udhëtuan në Shqipëri për të festuar pashkët me të afërmit e tyre.

Top Channel