Vizita e Berishës në Afganistan

15/04/2012 21:00

Dy ditë i kanë mjaftuar kryeministrit Sali Berisha të vizitojë dhe të nderojë të gjithë trupat shqiptare që ndodhen në Afganistan.

Nën masa të larta sigurie ai ka qëndruar në Kabul, në Kandahar dhe në Herat duke u shprehur mirënjohjen forcave shqiptare për kryerjen me dinjitet dhe eficensë të lartë të misionit që Shqipëria ka marrë përsipër.

Në Kabul kryen mision paqeruajtës kontigjenti prej 32 ushtarakësh shqiptarë, niveli i të cilëve është vlerësuar prej aleatëve të NATO-s, i tillë që lejon efektivet shqiptare të trajnojnë forcat e policisë dhe ushtrisë afgane, që po merr gradualisht në dorë sigurinë e këtij vendi.
 
“Ju përgëzoj për detyrën që kryeni me shumë dinjitet e aftësi dhe ju uroj që të ktheheni me shëndet dhe faqebardhë në Shqipëri”, tha Berisha.

Por kur do të kthehen trupat shqiptare në Atdhe? Kësaj pyetje kryeministri Berisha i dha përgjigje në të gjitha takimet me ushtarët shqiptare në Afganistan, por edhe në takimet me drejtuesit më të lartë civilë dhe ushtarakë të NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara që veprojnë në Afganistan.

“Ju falënderoj zoti Kryeministër për kontributin bujar të Shqipërisë në çdo aspekt të këtij misioni. I shpreha Kryeministrit dëshirën për të shërbyer bashkërisht me forcat shqiptare në këtë mision të madh për lirinë në Afganistan”. tha Gjenerali, Allen.

“E garantova Gjeneralin se Shqipëria dhe njësitë tona do të jenë në këtë vend mik, për aq kohë sa do të jenë forcat e njësisë së shkëlqyer amerikane”, deklaroi Berisha.

Aktualisht, një nga zonat më të nxehta në Afganistan është Kandahari dhe forcat speciale shqiptare të dislokuara atje, ndryshe nga kontigjentet e tjera shqiptare janë me mision luftimi dhe marin pjesë në operacione, që komandanti i NATO-s në Afganistan, i konsideroi të vështirësisë më të lartë.

Ky takim ishte rasti më i mirë që kryeministri Berisha dhe komandanti amerikan i bazës në Kandahar, James Johnson, të bënin vlerësime të shkëlqyera për Kapiten Feti Voglin, i cili humbi jetën gjatë një operacioni në Kandahar.

Kur kaloi me helikopter sipër vendit ku u vra kapiten Vogli, kryeministri Berisha tha se po e nderonte atë jo vetëm në emër të qeverisë shqiptare, por po i bënte homazh edhe në emër të familjes Vogli, që, për shkaqe sigurie e kishte të pamundur të bëhej pjesë e vizitës së kryeministrit në Afganistan. Përshkrimi që komandanti i bazës në Kandahar, Koloneli Johnson u bëri forcave speciale shqiptare ishte mbresëlenës.
 
“Ushtarët e forcave speciale shqiptare janë ndër ushtarët më të mirë, më inteligjentë, më të përkushtuar dhe më të aftë që unë kam parë ndonjëherë. Dhe unë pa asnjë dyshim do t’ju besoja atyre jetën time. Në fakt une e kam bërë këtë në të paktën dy raste, ndërsa po zhvillonim operacione të përbashkëta”, deklaroi Koloneli Johnson.

Përpara forcave speciale shqiptare në Kandahar, kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen më të thellë për këtë trupë elite të ushtrisë shqiptare, që amerikanët e shohin si model të kurajos dhe trimërisë, ndërsa për shqiptarët janë ambasadorët e paqes në një vend në luftë.
 
“Erdha këtu për t’ju shprehur nderin e të gjithë kombit për misionin tuaj dhe t’ju siguroj se çdo shqiptar ndihet shumë krenar me ju. Ju punoni së bashku, luftoni së bashku, ndani të njëjta kërcënime dhe të njëjtat qëllime, me anëtarët e ushtrisë më të shkëlqyer, asaj të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ju po punoni që t’i siguroni ata, nga armiqtë më të rrezikshëm e të egër të paqes jo vetëm të popullit afgan, por edhe të botës, që janë Al Qaeda dhe Talebanët. Kauza për të cilën ju luftoni është tepër fisnike. Por, si shqiptarë, ju e kuptoni më mirë sa themelor dhe jetik është për këtë vend të ndërtojë të ardhmen e tij në liri”, deklaroi Berisha.

Vizita e kryeministrit Berisha në Kandahar zbuloi edhe një anë të rezervuar të veprimeve që forcat speciale shqiptare bëjnë në terren, kur, me teknologjinë më moderne, kryejnë dhe vëzhgojnë në kohë reale operacione të përbashkëta me amerikanët kundër talebanëve.
 
Pas ndarjes me 44 ushtarakët shqiptarë të forcave speciale në Kandahar, stacioni i fundit i kryeministrit Berisha ishte Herati. Në Herat, një zonë relativisht e sigurtë, shërbejnë dy kompani këmbësorie me 222 efektive, që kanë për mision garantimin e sigurisë së aeroportit dhe bazës së tij ushtarake.

Për kryeministrin Berisha kjo ishte vizita e parë në Afganistan, që kur Shqipëria, ende pa u bërë anëtarë e NATO-s, iu bashkua aleances për të shndërruar Afganistanin nga një vend që prodhon terrorizëm në një vend të sigurtë. Një mision ky ende i papërfunduar.       

Top Channel