Nëntë mjekë italianë janë vënë nën hetim nga prokuroria e Pordenones lidhur me vdekjen e papritur të 28-vjeçarit shqiptar, Ermal Shkrela.
Deri tani nuk ka asnjë element që të mbështesë tezën e një gabimi mjekësor, por hapja e hetimeve është një akt i detyrueshëm aq më shumë për moshën e re dhe shpejtësinë e sëmundjes që i ka marrë jetën djalit shqiptar.
Me sa dihet ai ka pasur temperaturë shumë të lartë disa ditë para Pashkëve dhe është paraqitur në Urgjencën e Spitalit të Maniagos. Është transferuar urgjentisht në spitalin “Santa Maria degli Angeli”, ku ditën e hënë ndërroi jetë, me sa thonë mjekët për shkak të një virusi që ka prekur organet dhe ka shkatërruar tërësisht sistemin imunitar.
Pikërisht për të vërtetuar këtë hipotezë është vendosur kryerja e autopsisë. Rezultatet e saj do të hedhin dritë mbi këtë vdekje dhe do të vërtetojnë ose përjashtojnë gabimin e mjekëve.
Ermal Shkrela jetonte prej vitesh në Itali bashkë me familjen. Ai punonte në një fabrike thikash dhe në kohën e lirë bashkëpunonte me një diskotekë.
Top Channel