Emisioni ‘Pasdite në Top Channel’ u fokusua tek sportistet shqiptare që merren me sporte shumë pak të praktikuara në vendin tonë si hipizmi, tenisi por edhe futbolli që është një sport shumë i dashur nga meshkujt kryesisht.

Ema Qehajaja: Hipistja e dashuruar me kalin

Hipizmi është konsideruar si një tango e njeriut me kalin! Duhet të kapësh reflekset dhe të komunikosh me kalin në çdo moment!

Deri më tani kemi dëgjuar për hipizmin dhe garat e kuajve me kalorës meshkuj, por që prej një viti e gjysmë në Akademinë e Hipizmit stërvitet edhe një vajzë. Ajo është Ema!

“Pasioni im për kuajt lindi që në moshën 9-vjeçare kur pashë disa njerëz që kalëronin dhe që atëherë më ka pëlqyer shumë”, deklaron Ema.

Thotë se kali është kafsha më fisnike dhe ndonjëherë e ka më të lehtë të merret vesh me të se sa me njerëzit.

“Unë e dua kalin më shumë se veten time. Ai më dhuron kënaqësi, lumturi, dashuri, gjithçka…”, shton vajza.
 
Stërvitet çdo ditë, në shi, në diell apo edhe në borë. Ka gjetur veten në hipizëm dhe si  femra e parë shqiptare në këtë sport ndihet e përkëdhelur nga fati: “Ndjehem shumë mirë dhe shumë krenare për veten time sepse jam kalorësja e parë femër në Shqipëri. Sigurisht që do të vijnë të tjera pas meje, por nuk do të jenë kurrë më të mira se unë.”

Anxhelina Kashari: Notarja rekordmene kërkon Lojrat Olimpike

“Noti më bën të ndihem më shumë femër, është më klasik dhe më i veçantë se sportet e tjera.”

Ajo kalon më shumë kohë në ujë sesa në tokë. I pëlqen noti, i pëlqen kostumi i stërvitjes, i pëlqejnë syzet që mban nën ujë dhe adhuron kur arrin të thyejë rekordin e mbajtjes së frymës nën ujë.

Anxhela Kashari është notarja 16-vjeçare që mban rekordet kombëtare për të rritura. Ajo ishte e para në Shqipëri që uli kohën e 100 metrave stil i lirë nën 1 minutë duke thyer edhe tre rekorde kombëtare.

“Stilet që unë di më mirë dhe që kam rekordet kombëtare është stil i lirë dhe stil delfin”, tregon Anxhela.

Familja e inkurajon shumë dhe për të është forca më e madhe. Noti nisi rastësisht, por dëshira dhe ambicia për të arritur majat e shtyjnë për më tej: “Notin e fillova si sport për të mbajtur trupin në formë, u kthye në pasion dhe me kalimin e viteve është shndërruar në një profesion që më shtyn akoma më shumë për të përfaqësuar Shqipërinë në Lojrat Olimpike. Ky është synimi im, Lojrat Olimpike 2012 në Londër!”

Efrosina Kariqi: Shqipëria shumë e vogël për pasionin tim të madh për tenisin

“Sapo e preka për herë të parë raketën e tenisit, thashë se ky është sporti që dua të vazhdoj dhe arrita ta vazhdoj çdo pa u lodhur në gjithë këto vite.”

Efrosina Kariqi vjen nga një familje sportistësh. Në vogëli ka provuar sporte nga më të ndryshmet, por çdo gjë që nisi e la në mes përveç tenisit pas të cilit u dashurua nga fillimi në fund.

“Te mua ky sport ka kaluar në pasion, nuk është më një dëshirë siç ishte kur isha e vogël. Madje edhe sikur unë mos të jem mirë fizikisht apo mos të kem dëshirë që një ditë të luaj tenis, është e pashmangshme që të vij e të luaj në këto fusha. Vij e stërvitem 2 orë në ditë, do doja edhe më shumë, por angazhimet e tjera nuk ma lejojnë.”

Është një nga femrat e pakta teniste në Shqipëri dhe i mungon një kundërshtare e denjë femër në fushë, por gjithsesi nuk ndjehet e diferencuar. Ajo përpiqet të triumfojë mes meshkujsh!

Ndjehet mirë dhe kërkon që çdo gjë që mund t’i dhurojë ky sport ta kthejë në të mirë të saj: “Ky sport është një mundësi e mirë për të humbur peshë apo për të gjithë ata që duan të shpenzojnë kalori me një aktivitet fizik. Po ta alternosh edhe me forma të tjera mund të kesh linja shumë të mira trupore.”

Pavarësisht se duket e lehtë, Efrosina thotë se nuk mund të jesh profesioniste në tenis sa hap e mbyll sytë. Përkundrazi, kur fillon të luash kupton që cilësia nuk ka fund, kërkon vazhdimisht të përmirësohesh duke dëshiruar perfeksionin në çdo goditje.

Aurora Seranaj: “Ronaldinjo” shqiptare për femra

Aurora Seranaj është nga të paktat futbolliste shqiptare. 26-vjeçarja është kapitene e kombëtares shqiptare të femrave dhe luan në kampionatin gjerman me ekipin e Këlnit.

“Pasioni për futbollin ka nisur që e vogël. Unë shkoja në stadium me babain dhe ndiqja Partizanin. Kam qenë 7 vjeç dhe në atë kohë njerëzit nuk e konceptonin dot një femër duke luajtur futboll”, thekson Aurora në emisionin ‘Pasdite në Top Channel’.
 
“Kam pasur vështirësi sepse shoqëria nuk e pranonte që unë të merresha me futboll, por familja më ka mbështetur shumë”, shton 26-vjeçarja.

Edhe pse e ka pasion, ajo mendon se në vendin tonë futbolli nuk mund te jetë një profesion për femrat: “Futbolli i femrave në Shqipëri është tabu dhe nuk merret me seriozitet.”
 
 

Top Channel