Ditën e hënë, për publikun u shfaq premierë filmi më i ri shqiptar, “Pharmakon”, me regjisor dhe skenarist Joni Shanaj.

Një film që flet për një brez të ri që nuk shkeputet nga tutela e një shoqërie të korruptuar, ku të bëjnë përshtypje skenat erotike.

Në studion e “Pasdites”, për të folur rreth premierës që nga data 12 prill do të jetë e shikueshme edhe në kinema për të gjithë publikun, ishte pikërisht “truri” i tij, Shanaj dhe dy aktorët kryesorë, Olta Gixhari dhe Klevis Bega, i njohur më mirë me pseudonimin e tij, “Kastro Zizo”.

Filmi përpiqet të rrëfejë një brez të ri që nuk shkëputet dot nga tutela e një shoqërietë korruptuar. Natyrshëm, pyetja e parë për regjizorin dhe skenaristin ishte se sa është frymëzuar vepra prej realitetit shqiptar?

“Në radhë të parë, si kineast, përgjegjësia ime kryesore është ndaj kinemasë. U përpoqa të bëja një film të veçantë në zhanrin alternativë. Por, si qytetar i këtij vendi kam edhe një detyrim ndaj shoqërisë ku jetoj. Vështirësitë që përballen të rinjtë prej korrupsionit të shoqërisë janë të shumta dhe në shëndetësi është mbase më evidente se kudo, prandaj edhe filmi është përqendruar në këtë aspekt”., tha Shanaj.

Gjatë filmit të gjatë pothuajse dy orë, të bie në sy se personazhin e doktor Sokratit, të interpretuar nga Niko Kangjeri, nuk e shohim në raport me pacientët e tij, por me shtëpitë, vilat luksoze në breg të detit, farmacinë që drejton i biri dhe raportin intim me studenten e tij, Sarën, që është njëkohësisht e dashura e djalit të tij.

“Filmi, në një sfond tjetër prek edhe një konflikt brezash, midis atij që kontrollon gjithcka, pushtetin e paranë dhe brezit tjetër, të përfaqësuar nga djali i mjekut, Branko, që këtu interpretohet nga Klevi. Ai është personazhi që në dukje i ka gjërat gati, por është i pëkënaqur sepse jeton nën paternalizmin e një babai dhe në një farë mënyre jam përpjekur të fokusohem në këtë dramë mes babait dhe birit, në momentin kur dëshira për ego dhe pushtet godet pa dashje jetën e djalit të tij”, shpjegoi Joni.

Për një sy ekspert, bie në sy fakti se përgjatë dy orëve, heshtja dhe gjestet flasin në mënyrë të parabartë. “Kjo është pak çështje stilistike, një zgjedhje dhe mënyra se si është trajtuar filmi. Dëshira ime është t’i lija publikut një hapësirë sa më të gjërë, në mënyrë që t’i lëmë atij liri, që të përfshihet dhe të jetë një bashkëautor në këtë vepër”, theksoi Shanaj.

Për Kastro Zizon, pjesëmarrja në këtë film, ishte një përvojë e re dhe e paharrueshme. “Duke ia lënë interpretimin publikut, duam gjithashtu që ta edukojmë, sepse kemi të bëjmë me një publik injorant. Filmi është si një shtesë qepë me shtresat e tij, nga më intelektualja, tek më e zakonshmja, por filmi i përket të gjithëve. Personalisht, kur punoj me profesionistë ndihem mirë, sepse kështu dhe arrij të ndiej veten time edhe më profesionist. Për mua, kjo është një provë se si Kastro, si njeriu që kam bërë disa gjëra të vogla, edhe pse pretendoj që kam bërë diçka të madhe, edhe unë diçka vlej. Ia di për nder Jonit, profesionalizmit dhe stafit të tij për besimin që më dhanë”.

Por, përse Kastro Zizo dhe jo një aktor i sprovuar për këtë rol? “Kur kërkoja rolin e Brankos dhe Sarës ishin disa alternativa, por Klevi ishte ideal për këtë rol dhe e njihja prej vitesh. Gjatë të gjithë kohës kam menduar se është një rol që i shkon për shtat Klevit si një artist dhe si një njeri që ka një reflektim të brendshëm”, deklaroi Shanaj.

Për Olta Gixharin, e cila është një figurë e njohur për të gjithë frekuentuesit e teatrit, “Pharmacon” ishte gjithashtu një përvojë e re. “Ishte hera e parë që kisha kontakt të gjatë me kamerën. Filmi zgjati dy muaj xhirime dhe pak a shumë, unë dhe Klevi ishim njësoj, me letra, teks në duar, duke u ngrënë me veten dhe njëri-tjetrin për një dubël sa më të mirë. Pa dyshim, kishte edhe raste që na kapte e qeshura sepse të kap ngërci nga orët e gjata në punë dhe padurimi”.

Shumë debat ka ngjallur ky film edhe për skenat e tij erotike dhe puthjet pasionante midis dy aktorëve kryesorë. “Janë skena që janë përfolur shumë dhe mua më bën një çudi që një e puthur të përflitet kaq shumë sepse ka ndodhur edhe më parë nëpër filma shqiptarë, madje ka ndodhur në filmin e parë të xhiruar ndonjëherë, Tanën, në vitin 1958. Më vjen keq që flitet për erotizmin, sepse si koncept ka një gamë shumë më të gjerë. Sidoqoftë, mund t’iu them se kur lexova skenarin, u ndieva më në siklet se sa kur realizuam me të vërtetë ato skena. Në realizim ato u zbutën disi nga skenari fillestar, mbase për t’iu përshtatur disi më mirë shoqërisë ende konservatore shqiptare, por për mua nuk ishte një problem, edhe sepse nuk më ndodh kurrë në tear që të kem një skenë pa puthje”.

Sidoqoftë, në mbyllje të debatit mbi filmin, regjizori dhe dy protagonistët kryesorë, pranuan se nuk kishte pritur një reagim të tillë kaq të madh nga skenat e nxehta, të cilat sipas tyre, nuk duhet të krijojnë më të njëjtin debat edhe në 2012-n.

Top Channel