Akciza, do mblidhet në doganë

09/04/2012 23:10

Një ligj i ri, që ja kalon mbledhjen e akcizës tërësisht administratës doganore është shoqëruar me debate mes maxhorancës dhe opozitës në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë.

Arben Malaj i Partisë Socialiste tha se ndryshimet e shpeshta të taksave kanë coroditur biznesin duke e bërë Shqipërinë një nga vendet me sistemin fiskal më të vështirë.

“Arsyeja kryesore është ndryshimi i shpeshtë i legjislacionit, mospërgatitja në kohë e akteve nënligjore ose deformimi i thelbit të ligjit nga aktet nënligjore dhe rritja e burokracisë”, tha Malaj.

Por zëvendës/Ministri i Financave tha se ndryshimet i janë bërë të njohura biznesit prej kohësh.

“Ka një vit që ky ligj konsultohet me biznesin dhe grupet e interesit. Ka një vit që administrata doganore është në përgatitje dhe ka ndërtuar formularin, për administrimin e këtij procesi. Nga ana tjetër  aktet nënligjore janë të gatshme”, tha zv/Ministri i Financave, Alfred Rushaj.

Socialistët janë skeptikë dhe mendojnë se doganat nuk do arrijnë të përmirësojnë mbledhjen e akcizës, e cila është taksa me rrezikun më të lartë për evasion.

“Drejtoria e Përgjithshme e  Doganave do të marrë brenda genit operues edhe përgjegjësitë e reja për të cilat, nuk ka as eksperiencë, as strukturë apo punonjës të mjaftueshëm për t’u shtrirë në gjithë territorin e vendit”, theksoi socialisti, Arben Ahmetaj.

Por qeveria thotë se kalimi në doganë i mbyll shtigjet për evasion.

Ligji i ri për akcizën, sipas parashikimeve të qeverisë, pritet të hyjë në fuqi në muajin korrik.  

 

Top Channel