Kryebashkiaku i Selanikut viziton Durrësin

05/04/2012 20:15

Qyteti i Durrësit ishte stacioni i fundit, por kryesor i vizitës treditore të kryetarit të Bashkisë së Selanikut në Shqiperi, Janis Butaris.

Një personalitet mjaft i njohur në Greqi, me prejardhje vllahe nga Voskopoja, 72-vjeçari me ide moderne, ka sqaruar qëllimin e takimeve të tij me kryeministrin shqiptar, Sali Berisha, Ministrin e Turizmit, Aldo Bumçi, kryepeshkopin Janullatos dhe kryebashkiakët e Tiranës, Korçës dhe të Durrësit.

”Ideja e kësaj nisme lindi nga dëshira e Bashkisë së Selanikut për një “hapje” ndaj qyteteve e vendeve fqinje dhe marrëdhënie më të mira me ta. Z. Poda, Konsulli i Përgjithshëm i Shqipërisë në Selanik ndihmoi shumë në këtë vizitë, të cilën e organizoi dhe ndihmoi gjithashtu në hartimin e nënshkrimit të protokollit që është dhe hapi i parë i binjakëzimit të dy qyteteve. Takimet e realizuara ishin thelbësore në frymën e dëshirës nga të dy palët për bashkëpunim”, deklaroi Butaris.

Kryebashkiaku i Selanikut ka shprehur edhe përshtypjet e tij për kryeqytetin shqiptar.

”Ndryshimi është i dukshëm. Tirana ka hyrë në një rrugë shndërrimi europian. Ky ndryshim ekziston edhe për Durrësin, me zhvillimin e portit, turizmit, shfrytëzimin e historisë së antikitetit. Siç dihet, Durrësi është ndërtuar para Krishtit, është nga më të vjetrit në Ballkan dhe i ngjan shumë në këtë aspekt Selanikut”.

Nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit me kryebashkiakun e Durresit, Vangjush Dako i paraprin procesit të binjakezimit midis dy qyteteve të mëdha portuale të Shqipërisë dhe Greqise, e cila do të finalizohet në Selanik në muajt e ardhshëm.

Butaris nuk harroi që t’i bënte një ftesë publike kryeministrit Berisha, për të marrë pjesë në një forum të rëndësishëm ekonomik, që do të zhvillohet në qytetin e dytë më të madh të Greqisë në muajin maj. “Do të zhvillohet një kongres i madh biznesi në Selanik në fund të majit. i bëra një ftesë kryeministrit dhe reagimi i tij ishte shumë pozitiv, por natyrisht, varet nga planet dhe programi i tij”.

Top Channel