CEZ, rriten ndjeshëm humbjet

01/04/2012 19:30

Të dhënat më të fundit nga Enti Rregullator i Energjisë lëshojnë alarmin se treguesit e energjisë elektrike janë përkeqësuar fort duke kërcënuar ta zhysin tregun në kaos financiar.

Top Channel ka mësuar se në janar dhe shkurt të këtij viti, humbjet e energjisë ishin respektivisht 52 dhe 57 qind e totalit, ose gati dy herë më shumë nga mesatarja vjetore.

Historikisht humbjet në janar dhe shkurt tentojnë të jenë më të larta nga pjesa tjetër e vitit, por këtë herë duket se shifra ka arritur nivele rekorde. Top Channel kontaktoi me CEZ, e cila konfirmon shifrat e rritjes së humbjeve, por sipas saj shkaku përvec sezonalitetit është rritja e ngarkesës së energjisë.

CEZ pretendon se gjatë dy muajve të parë të këtij viti ngarkesa në rrjet ka arritur nivele rekord, dhe pavarësisht kësaj ajo ka vazhduar të mbajë furnizim të pandërprerë me energji për popullsinë. Sipas CEZ furnizimi pa ndërperje në kohët me ngarkesë të lartë ndikon direkt në rritjen e fortë të humbjeve, që mund të ishin dukshëm më të ulëta nëse do kishte ndërperje të energjisë.

Por humbjet janë vetëm njëri nga shkaqet e gjendjes së vështirë financiare në tregun e energjisë. Vec tyre, ka dhe një sasi tjetër energjie që edhe pse faturohet nuk paguhet dhe që njihen si mosarkëtimet. Për pasojë aktualisht në cdo 100 lekë energji që hidhet në rrjet CEZ arkëton rreth një të tretën e saj, një nga treguesit më të ulët historik.

Përkeqësimi i treguesit të humbjeve ka efekt të dyfishtë në financat e CEZ. Së pari rritja e humbjeve do të thotë më pak pak para të arkëtuara nga shitja e energjisë. Por paralelisht me këtë rritja e humbjeve e detyron CEZ-in që të rrisë importet e energjisë për të kompesuar këto humbje. Ky ka qenë dhe njëri nga shkaqet se pse gjatë tre muajve të parë të këtij viti, importi i energjisë është bërë thuajse i gjithi nga kompania CEZ, për të kompesuar humbjet e larta në rrjet.

Pak ditë më parë drejtori i CEZ, iu drejtua përmes një letre krerëve të shtetit ku njoftonte zyrtarisht se CEZ është në vështirësi financiare për shkak të importeve të larta.

Top Channel