
Maxhoranca dhe opozita janë larg marrëveshjes për thelbin e Reformës
Parlamentare. Anëtari socialist i Komisionit, Ditmir Bushati thote se
nuk po arrihet konsensus për rikthimin e votës së fshehtë dhe për një
transparencë më të madhe të fondeve të Kuvendit.
Sipas Bushatit, deri tani jane miratuar disa çështje që janë të dorës së dytëe.
Top Channel: Cilat janë disa prej arritje të deritanishme në Komisionin e Reformës Parlamentare?
Bushati: Deri më tani kemi gjetur dakortësinë, në lidhje me një rregullim më të mirë të punës dhe përbërjes së Konferencës së Kryetarëve. Një sanksionim më të qartë të raportit të Kuvendit, kryesisht të grupeve parlamentare me grupet e interesit, sidomos përsa i përket procesit ligjvënës. Një forcim të rolit të sekretariatit të buxhetit, i cili do të merret me përgatitjen dhe mbikëqyrjen në mënyrë periodike të shpenzimeve të gjitha strukturave të Kuvendit të Shqipërisë dhe publikimin e ketyre shpenzimeve. Si dhe janë hedhur hapat e para drejt forcimit të mëtejshëm të forcimit të grupeve parlamentare dhe komisioneve parlamentare, duke krijuar një lloj autonomie për këto struktura të rëndësishme.
Top Channel: Cilat janë ato çështje që pritet arritja e një dakortësie mes të dyja palëve në këtë Komision?
Bushati: Jemi duke diskutuar përsa i përket forcimit të rolit të deputetit, në procesin ligjvënës dhe mbikëqyrës, sidomos ndaj institucionit të ekzekutivit apo institucioneve të tjera që burojnë nga Kuvendi i Shqipërisë. Gjithashtu po eksplorojmë mundësinë për një lidhje dhe raport më të drejtë mes deputetit dhe elektoratit, pra për të krijuar dhe stimuluar këtë pikë takimi mes deputetëve dhe elektoratit.
Top Channel: Ndërkohë që listuat arritjet dhe ato çështje ku jeni duke kërkuar dakortësi. Po për ato çështje të nxehta që keni përballë, siç janë votimi i fshehtë i dekreteve të Presidentit apo çështja e buxhetit për të cilën PS ka kërkuar një transparencë akoma më të madhe në krahasim me atë aktualen. Çfarë po ndodh me këto çështje?
Bushati: Besojmë se çështja e buxhetit do të fuqizohet nëpërmjet fuqizimit dhe përcaktimit më preciz të detyrave që do të luajë sekretariati i buxhetit me përfaqësues të mazhorancës dhe opozitës. Ndërsa sa i përket çështjeve të nxehta, siç ju i cilësuat vijojnë të mbe ten çështja e e votimeve të dekreteve të presidentit për institucionet kushtetuese dhe kjo nuk të bëj thjesht me reformën parlamentare, por edhe me prioritetin që kërkon BE për mënyrën se si ne emërojmë institucionet kushtetuese në vend, nëpërmjet një procesi jo të politizuar, sa më të besuar, sa më transparent e sa më profesional. Kjo ka qenë arsyeja ku është bazuar edhe propozimi opozitës. Dhe tek ajo që njihet si parimi kontradiktoritetit apo koha që duhet t’i vihet në dispozicion qeverisë, kryeministrit, anëtarëve të qeverisë për prezantimin e një nisme të caktuar dhe opozitës për të shprehur pikëpamjen e saj mbi këtë çështje apo iniciativë të caktuar. Vlen të theksohet se çdo përmirësim që i bëhët jetës parlamentare do të ishte i mangët nëse nuk do të shoqërohej me një zbatim korrekt i asaj që ne do të shkruajmë në letër. Dhe më e rëndësishme nga ajo që ne do të shkruajmë në letër është fryma e bashkëpunimit, që duhet të ekzistojë, kur vjen puna për të shkruar rregullat e bashkëjetesës.
Top Channel: Cili është qëndrimi juaj në lidhje me propozimin e mazhorancës e cila është shprehur se për votimin e fshehtë duhet të ndiqet modeli i rregullores së Parlamentit Europian?
Bushati: Rregullat dhe procedurat e Parlamentit Europian janë një burim frymëzimi për grupin e punës së reformës parlamentare. Në rast se do t’i referohemi punës së PE-se, kur bie fjala për votim për individ, gjithmonë votimi është i fshehtë edhe në PE. Në rast se vjen puna për çështjet e kontradiktoritet, pra kohës se sa dhe kur flet qeveria dhe opozita në PE, nuk e kemi dot një shembull të tillë, pasi është një strukturë e vecantë ‘sui generis’ dhe nuk na jep një mundësi një model për rastin shqiptar . Por ka shumë modele dhe e përbashkëta e shumë modeleve është respektimi në një mënyrë apo tjetër i këtij parimi, që kur prezanton qeveria opozita ka të drejtën që të shprehë qëndrimin dhe mendimin e saj. Në fund të fundit, parlamenti në çdo vend të botës është vendi ku ballafaqohen pikëpamjet e palëve.
Top Channel