Sistemi dixhital audio në gjykata

30/03/2012 00:00

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Alexander Arvizu dhe ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, përuruan të premten në gjykatën e rrethit të Lezhës instalimin e parë të sistemit të regjistrimit dixhital audio për gjykatat.

Me financimin e USAID-it dhe në partneritet të ngushtë me qeverinë dhe gjyqësorin shqiptar, kjo shënon fillimin e zbatimit të një nisme të rëndësishme: instalimin e një teknologjie të re e të përparuar në gjykatat, e cila ndihmon që ato të jenë më të efektshme dhe më transparente.

Ambasadori Arvizu, krahas rëndësisë së performancës së njerëzve të drejtësisë, u shpreh se edhe sistemi i regjistrimit merr një rëndësi të veçantë duke i shërbyer transparencës.

“Është mëse e qartë nga ekspertët të cilët më kanë treguar se një prej sfidave në sistemin e drejtësisë shqiptare është sistemi i tejngarkuar me çështjet që kanë gjykatat. Kjo situatë kontribuon në gjetjen e rrugëve më të shkurtra, duke shkaktuar kështu pakujdesi dhe duke mos dhënë drejtësinë e duhur. Gjithashtu, përsa i përket çështjeve të prokurorisë, ne jemi krenarë për bashkëpunim në kuadër të programit “Sfidat e Mijëvjeçarit”, në ngritjen e një ekipi me fokus në hetimin e krimit ekonomik që lidhet me korrupsionin. Janë shtatë njësi të tilla në të gjithë vendin. Ky është një tjetër shëmbull i bashkëpunimit institucional që lidhet me përmirësimin e sitemit të drejtësisë”, deklaroi ambasadori Arvizu.

Kjo teknologji garanton proçesverbale të sakta fjalë për fjalë të seancave gjyqësore dhe u jep fund përplasjeve lidhur me atë që u tha apo jo në sallën e gjyqit.

Deri në dhjetor 2013 sistemi i regjistrimit audio do të jetë shtrirë në çdo sallë gjyqi në vend, duke përfshirë gjykatat e rretheve, ato të Apelit, si dhe gjykatën e shkallës së parë dhe atë të Apelit për Krimet e Rënda.

Ministri i Drejtësisë foli gjerësisht për rëndësisnë e këtij projekti dhe këtij hapi të madh, duke u përqendruar shumë tek transparenca.

Top Channel