Topi viziton familjen e Vilson Blloshmit

28/03/2012 18:25

Presidenti Bamir Topi zhvilloi të mërkurën paradite një vizitë në familjen e poetit të pushkatuar gjatë periudhës së regjimit komunist, Vilson Blloshmi, në fshatin Fanjë të komunës Qukës.

Kreu i shtetit u prit nga kryekomunari Fatmir Kryeziu, nga zoti Sami Blloshmi, i ati i poetit të pushkatuar gjatë regjimit diktatorial, nga Bedri e Nazmi Blloshmi, vëllezërit e të ndjerit, si dhe nga familjarë e të përndjekur të tjerë nga regjimi komunist.

Anëtarët e familjes Blloshmi shprehën mirënjohje për vlerësimin e lartë që vetë kreu i shtetit i bën familjes Blloshmi dhe gjithë të përndjekurve të saj nga regjimi diktatorial.

Bedri Blloshmi shpjegoi historikun e përndjekjes së familjes e të historisë tragjike të Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës, të ilustruar edhe me fotografi e dokumente historike të ekspozuara në njërën prej dhomave-muze të shtëpisë.

Nga ana e tij presidenti Topi vlerësoi në mënyrë të veçantë “qëndresën” e Vilson Blloshmit, por dhe të të gjithë të dënuarve e të pushkatuarve të kohës së diktaturës, vetëmohimin dhe papajtueshmërinë e tyre me ideologjinë komuniste të një prej sistemeve më diktatoriale “që shkaktoi krime monstruoze”.

“U takon vetë të përndjekurve të tregojnë historinë e patjetërsueshme duke vlerësuar e respektuar në radhë të parë vuajtjet dhe përndjekjet e tyre gjatë regjimit të kaluar, në mënyrë që kujtesa dhe respekti të vendosen në projektimin e së ardhmes”, deklaroi presidenti Topi .

Top Channel